Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është angazhuar menjëherë pas njoftimit për ndalimin Arbnor Spahiut, ish-zyrtarit të Policisë së Kosovës nga autoritetet serbe.
Sipas këshilltarit për media, Bekim Kupina, Presidentja ka kontaktuar menjëherë me Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi dhe ka qenë gjithashtu në komunikim të vazhdueshëm me shtetet e Quint-it dhe Zyrën e Bashkimit Evropian.
“Presidentja Osmani po e ndjek me prioritet të lartë këtë rast dhe angazhimi i saj institucional do të vazhdojë deri në sqarimin dhe zgjidhjen e situatës”, tha Bekim Kupina, për Gazetën Sinjali.
Ndryshe, bashkëshortja e Spahiut, Arjeta Spahiu publikisht i ka kërkuar presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe institucioneve të vendit që të reagojnë për arrestimin e tij i cili po akuzohet nga Serbia për “vrasje të rëndë” në Banjskë.
Ajo ka thënë se Arbnori më shumë se kurrë tani ka nevojë për përkrahje, e që deri më tani të gjitha institucionet kanë heshtur.
“Kërkoj publikisht që të merrni një qëndrim, të flisni dhe të ndërmerrni hapa konkretë për të adresuar rastin e bashkëshortit tim dhe të tjerëve si ai. Arbnori ka kontribuar për sigurinë e Kosovës për vite me radhë. Dhe sot, kur ai ka më shumë se kurrë nevojë për përkrahje, është lënë në heshtje. Asnjë institucion nuk ka reaguar”.
“As Presidentja e vendit, as Kuvendi, as askush tjetër. Dhe kjo heshtje është një dhimbje tjetër për familjen time. Nuk po flas këtu vetëm si bashkëshorte. Po flas si qytetare. Sepse nesër kjo mund t’i ndodhë dikujt tjetër. Kërkoj nga Presidentja Vjosa Osmani, nga Qeveria dhe nga të gjitha institucionet që të reagojnë menjëherë. Arbnori duhet të kthehet në shtëpi. Ai nuk është fajtor – ai është një hero i heshtur i këtij vendi”, ka thënë ajo mes tjerash.