Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve përmes Linjës së Kaltër (numrit të telefonit pa pagesë 080003333) ka pranuar të mërkurën një ankesë nga një qytetar i cili ankohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga dy zyrtarë policorë në Fushë Kosovë.
Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur të mërkurën në orët e pasdites kur qytetari ishte ndaluar nga policia fillimisht për një kundërvajtje në trafik.
Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot dy zyrtarë policorë (punonjës në Stacionin Policor të Fushë Kosovës) që ishin të përfshirë në këtë incident.
Arrestimi i tyre është bërë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe janë suspenduar nga detyra.
Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti.