fbpx

Burri me Alzheimer harroi se është i martuar, dashurohet përsëri në gruan e vet

nga Revista Kosovarja

Një të shtune mbrëma në dhjetor të vitit të kaluar, përderisa Peter dhe Lisa Marshall po e shikonin emisionin e tyre të preferuar televiziv, Peteri e shikoi Lisën dhe e pyeti nëse do të martohej me të. Ajo që burrit 56-vjeçar nuk i kujtohej ishte që ata ishin tashmë të martuar.

I diagnostikuar me sëmundjen e Alzheimerit tri vite më parë, Peterit kishte filluar t’i ikte kujtesa, madje edhe kujtimet e romancës së tij me bashkëshorten.

Harroi takimin e parë, se si i kishin mbajtur duart dhe si ishin puthur. Ai madje e harroi edhe martesën, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.

“Është zemërthyese. Ne kemi krijuar kujtime të reja, por dhemb, sepse mua gjithnjë më pëlqen të them “a të kujtohet ajo kohë”. Dua të rikujtoj gjëra me të, por tani atij nuk i kujtohet asgjë, aq më pak ato që kanë ndodhur para 20 viteve”, tha Lisa.

Çifti që është martuar para 12 viteve takimin e parë e pati në Pensilvani. Të dy ishin të martuar në atë kohë dhe duke i rritur fëmijët e tyre, por lidhën një miqësi dhe mbetën të afërt derisa familja e Peterit u zhvendos në Connecticut.

Pas gati një viti pa kontakte, ata u lidhën përsëri, kur morën vesh se secili po përballej me divorc. E pyetur se çka i pëlqen më së shumti te burri i saj, ajo tha: “Mënyra se si më do. Ai është aq i sjellshëm, aq zbavitës dhe romantik. Ai gjithmonë ka qenë shumë i pasionuar rreth marrëdhënies sonë, rreth meje.”

Ajo thotë se vërejti që diçka nuk ishte në rregull me burrin e saj, kur nisi që vazhdimisht t’i harronte çelësat, pastaj kuletën dhe më vonë edhe disa fjalë e kuptimin e tyre. Kohë pas kohe kishte vështirësi edhe gjatë lidhjes së fjalive. Pas testimit të gjerë, Peter u diagnostikua me Alzheimer më 30 prill 2018.

Pavarësisht vështirësive të shkaktuara nga sëmundja, Lisa zotohet se nuk do ta braktis burrin. “Ne do të jemi së bashku deri në fund. Asgjë nuk mund të na ndajë”, tha ajo.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]