Po thuajse çdo ditë në Policinë e Kosovës raportohen raste të shumta të dhunës në familje, ku kryesisht viktima janë gratë që pësojnë nga bashkëshortët e tyre. Shumë prej tyre nuk i denoncojnë burrat në momentin kur përjetojnë dhunën për shkak të frikës.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe dje, në rrugën “Evlia Qelebia”, në Mitrovicë.
Mësohet se rasti u zbulua kur gruaja shkoi në Strehimore bashkë me vajzat e saj, pasi ishte sulmuar në mesnatë nga bashkëshorti i saj, për shkak të një telefonate.
Burimet e Sinjalit nga Mitrovica kanë bërë të ditur se i dyshuari e ka rrahur gruan e tij, pasi dikush e kishte telefonuar atë në mesnatë. Kjo telefonatë e revoltoi burrin, i cili rrahu brutalisht viktimën, e cila për pasojë ka marrë lëndime në fytyrë, duar e kurriz.