Janë shumë televizione publike në Kosovë, të cilat gjatë javës organizojnë gati rregullisht debate me të ashtuquajtur opinionistë.
E keqja nuk është pse ata shfaqin mendime të ndryshme rreth politikës aktuale, por e keqja është, pse ata të gjithë janë të varur politikisht apo njerëz të partive politike.
Madje shumë prej tyre i dërgojnë vet partitë për t’ua mbajtur anën, nën paragjykimin se fjala publike e tij, është më efektive kur flet nga pozita e pavarur politike.
Pra, në fakt, e keqja është se ata flasin nën çadrën e një partie që i ka çuar aty apo edhe nuk i ka çuar, por ata flasin pro një lideri dhe pro një partie si të porositur.
Për shembull, Rron Gjinovci, e dinë të gjithë se është nga Vetëvendosja dhe ai del tamam me atë imazh që është komplet VV-së.
As këtu nuk është problemi, pse ai flet për Kurtin apo Lëvizjen Vetëvendosje, por nuk është etike që ai të flasë në cilësinë e njeriut të pavarur politik, përderisa është i një partie të caktuar.
Tomë Gashi, gjithashtu dihet, se me të dy këmbët dhe duart është në VV, pra, as këtu nuk është problemi.
Krejtë është në rregull, që të gjithë ne kemi simpati politike për një parti të caktuar dhe për një lider që i kemi ne apo më gjerë.
Problemi është kur një opinionist flet e shpreh ide dhe mendime si i pavarur, duke u maskuar pas një subjekti politik për të cilin ka shkuar në debat televiziv të mbrojë dhe të prapagojë pro tij.
Për të qenë një analist siç po quhen të tillët, kërkohet një minimum etike profesionale, që kur janë në pyetje temat e caktuara të debatit të marrin pjesë njerëzit profesionalë.
Nuk është e thënë të jenë të gjithë analista. Kemi profesorë me nam dhe të shkolluar jashtë e brenda vendit që i njohin mirë problemet dhe që janë kompetent të flasin për tema të lëmit të tyre.
E kemi ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj, i cili edhe pse e kryen këtë detyrë aq të rëndë sot në pandemi, nuk është kompetent të flasë për shembull me infektologët apo epidemiologët në ndonjë debat televiziv, edhe pse ai është
ministër, por nuk është me profesion mjek.
Po na shfaqen shumë të tillë nëpër debate televizive që janë të gjithëdijshëm për çdo temë dhe lëmi.
Nuk mund të jetë një analist apo opinionist kompetent të flasë për çdo lëmi sikur ndodh në debatet tona.
Ata e dezinformojnë publikun duke mos qenë të informuar sa e si duhet për një problem të caktuar.
Në debatet televizive që mbahen sot në Kosovë, i kemi fytyrat e njëjta debatuese. Të njëjtit njerëz që dinë gjithçka, por në fakt është e kundërta.
Në panel shumë shpesh ka edhe opinionistë të tillë, që kur shtrojnë pyetje nisin edhe komentojnë vetë duke e vënë në pozitë dezinformuese publikun, a është ai për pyetje apo për përgjigje.
Kur kyçeni të shihni debate televizive, publiku ynë ndodh ta sheh të njëjtin njeri në tri emisione debatuese. Kështu krijohet bindja, se ai është i vetmi që duhet të flasë për një lëmi të caktuar.
Kosova nuk i ka vetëm 10-15 analistë apo opinionista që sillen në të gjitha televizionet publike për të folur për çdo temë dhe për çdo dimension profesional.
Çdo natë kur dëgjojmë gjëra politike që kanë të bëjnë me diplomacinë dhe avancimin e Kosovës në procese drejtë OKB-së ndërkohë që në debate flasin opinionista aq jokompetentë, është tregues i paaftësive tona profesionale që më shumë dezinformojnë opinionin se sa furnizojmë publikun me informacione zyrtare dhe autoritative.
Kosova ka gazetarë që kanë raportuar me vite të tëra nga Lindja e Mesme dhe e afërt. Ka reporterë që i njohin raportet politike në tërë botën.
Ka historian që njohin diplomacinë në gishta dhe shtrohet pyetja, pse nuk organizojnë televizionet tona debate me historianët dhe diplomatët për shembull para një takimi Kosovë –Serbi në Uashington apo në Bruksel?
Pse ta zëmë nuk ftohet Dr.Hakif Bajrami , po edhe shumë të tjerë që njohin proceset historiko-politike dhe diplomatike në botë . /Safet Krivaca / Kosovarja /