Një burrë spanjoll është dënuar me 15 vite burgim për vrasjen e nënës së vet dhe ngrënien e mbetjeve të saj.
Alberto Sanchez Gomez, 28 vjeç, u arrestua në vitin 2019 pasi policia gjeti pjesë të trupit të njeriut përreth shtëpisë së nënës së tij. Disa prej pjesëve u gjetën në kuti plastike, shkruan BBC,.
Gjykata i cilësoi të papranueshme argumentet e të pandehurit se ai ishte duke përjetuar krizë psikotike në kohën e kryerjes së vrasjes.
Ai u dënua me 15 vite burgim për vrasje dhe pesë muaj burgim për përdhosje të kufomës. Gomez gjithashtu u urdhërua nga gjykata që t’ia japë 60 mijë euro vëllait të tij si dëmshpërblim.
Në gjykatë u tha se Sanchez e kishte mbytur nënën duke e shtrënguar në fyt pas një mosmarrëveshjeje. Ai më pas ia copëtoi trupin nënës së pajetë gjatë dy javëve dhe disa pjesë ia dha si ushqim qenit të tij.