fbpx

E para dhe e vetmja grua shqiptare me post të lartë politik në Belgjikë

nga Revista Kosovarja

Habibe Duraki është shembull i jashtëzakonshëm i femrës shqiptare, e cila ia ka dalë bindshëm dhe suksesshëm të integrohet e avancohet përtej kufijve shqiptarë, duke thyer mite e paragjykime për femrën shqiptare në Diasporë dhe atë në përgjithësi…
Pas shkollimit të mesëm në Drejtimin Matematikë e Latinisht, ka kryer Bachelor në Shkenca Sociale dhe, pastaj, ka vazhduar me magjistraturën në Kriminologji, në Universitetin e Lirë në Bruksel. Sidoqoftë, Habibe Duraki prej vitesh është pjesë e jetës publike dhe asaj politike në Bruksel.


Që nga viti 2012 është pjesë e Degës së Partisë Socialiste në komunën Evere të Brukselit.
Pas shumë angazhimesh, në vitin 2018, Partia e propozoi të ishte kandidate në zgjedhjet lokale.
E mahnitshme, por reale, pas shumë përpjekjeve, takimeve pafund me qytetarë dhe punë të palodhshme, arriti të jetë gruaja më e votuar në komunën e saj.
Ajo është nënkryetare e komunës Evere, komunë kjo me mbi 41 mijë banorë.
Habibe Duraki është, pa dyshim, gruaja e parë dhe e vetme shqiptare në Belgjikë, me një post politik kaq të lartë.

Kush është Habibe Duraki për ata që nuk e njohin?
– Jam 35 vjeçe. Që nga vitet 90 jetoj në Belgjikë, konkretisht në kryeqytetin e Evropës, në Bruksel. Jam grua e implikuar dhe e angazhuar në jetën civile dhe politike belge qe 10 vjet.
Jam e martuar, nënë e bekuar e tre fëmijëve të mrekullueshëm.
Ndjehem e plotësuar si në jetën private, ashtu edhe në atë profesionale.
Me profesion jam kriminologe dhe momentalisht jam nënkryetare në komunën në Bruksel.
Më karakterizon optimizmi, e dua jetën dhe mendoj se duhet të qëndrojmë të buzëqeshur, pavarësisht se çfarë na sjellë jeta.
Dashuria, solidariteti dhe respekti janë vlerat e mia primare që më përcjellin në çdo hap të jetës. Kudo dhe çdo herë që kam mundësinë e tregoj me shumë krenari që jam shqiptare dhe i promovoj vlerat e trojeve tona të bukura.

Si e kujton fëmijërinë, adoloshencën?
– Një kohë shumë e bukur, me shoqëri besnike dhe jetë të thjeshtë, ku nuk na mungonte asgjë, meqë prindërit kishin sakrifikuar çdo gjë për të na dhuruar jetë të mirë.
Isha vajzë perfeksioniste dhe nxënëse e mirë, e, në të njëjtën kohë, isha dhe ajo tek e cila të gjithë kërkonin këshilla dhe mbrojtje.
Në shkollë isha ajo që e ngrehja zërin për të gjithë ata që përjetonin ndonjë padrejtësi, ose që nuk kishin guximin për të shprehur mendimin, pakënaqësinë, thjesht për të kërkuar të drejtat e tyre.
Në shkollë të mesme më thoshin “Habibe, je avokatja jonë!”.
Dhe, duke pasur prind që ishin gjithnjë dhe çdo herë të gatshëm t’i hapnin dyert e shtëpisë për të gjithë shqiptarët që kishin nevojë, jam rritur në një frymë të mikpritjes dhe gatishmërisë për të ndihmuar çdo njeri që ka nevojë.
E, një gjë e tillë vazhdon dhe vlen edhe sot e kësaj ditë në shtëpinë tonë….

Kujtimi më i bukur i asaj kohe?
– Pa hezitim, është momenti kur u kthyem për herë të parë në vendlindje, pas shumë vjetësh.
Ishte emocion i madh. Në të njëjtën kohë ishte edhe e vështirë, sepse nuk i njihnim të gjithë familjarët…

A mund të flasim pak për shkollimin tuaj?
– Mund të them me modesti se në shkollë kam qenë nxënëse shembullore dhe e motivuar për të arritur majat e dijes.
Pas mbarimit të shkollës fillore në Namur, familja ime u vendos në Bruksel dhe aty vazhdova shkollimin e mesëm të përgjithshëm, në drejtimin matematikë dhe latinisht, duke e kryer me sukses. Pastaj, kam kryer bachelorin në shkenca sociale dhe juridike.
E, pasi arrita t’ia dal me sukses dhe pa e përsëritur asnjë vit gjatë gjithë shkollimit, e me dëshirën për t’u ngritur në aspektin intelektual, vazhdova me shumë bindje magjistraturën në ULB, e që është universiteti kryesor dhe më me nivel, por edhe më i njohuri ndërkombëtarisht në Bruksel.
Po ashtu, është e rëndësishme të cek se prindërit e mi kanë bërë çmos për ne, kanë sakrifikuar shumë. Çdo herë na thoshin: “Ju vetëm mësoni, për të tjerat kujdesemi ne!”.
Andaj, u jemi mirënjohës gjithmonë…
E, ndërkohë, paralelisht me shkollimin, kam përcjell edhe kurse për gjuhën holandeze, që është një ndër gjuhët zyrtare në Belgjikë.

Kur nisi aktivizimi juaj në politikë?
– Nisi zyrtarisht në vitin 2012, edhe pse isha aktive edhe më herët në lëvizje të ndryshme.
Në atë vit u bëra zyrtarisht anëtare e degës së partisë sime në komunën time.
Dhe, hap pas hapi, e duke parë punën dhe seriozitetin tim në implikimin e të gjitha aktiviteteve dhe këshillave e takimeve të degës sonë, filluan të besonin në organizmin dhe përfshirjen time në shumë aspekte dhe shoqata të jetës komunale.

Sot, në çfarë pozita e poste e gjejmë Habibe Durakin?
– Posti im kryesor është nënkryetare e komunës në të cilën jetoj.
Jam ndër katër femrat nënkryetare në komunë dhe e para dhe e vetmja shqiptare nënkryetare në Belgjikë e më gjerë.
Jam e përfshirë në shumë këshilla udhëheqëse dhe administrata publike e politike, por nuk do i numëroja të gjitha, meqë lista është e gjatë.
Jam e angazhuar qe shumë vjet në lëvizjen për të drejtat e barabarta dhe të grave, e cila organizon çdo manifestim rreth çështjeve të të drejtave të grave.
Jam në këshillin vendimmarrës të ngushtë të partisë sime për rajonin e Brukselit, si dhe në komunën time.
Jam kryetare e këshillit aktiv social dhe kulturor rajonal për tërë Brukselin.
Po ashtu, jam nënkryetare e qendrës kulturore po në atë komunë.

Sa të vë para përgjegjësive të mëdha posti që mban?
– Posti nënkryetare nënkupton përgjegjësi civile dhe penale të mëdha.
Do të thotë, unë çdo ditë marrë vendime brenda kompetencave që më janë përcaktuar në fillim të marrjes së postit dhe ato vendime janë të llojllojshme, si, për shembull, funksionimi i një çerdheje ose përcaktimi i projekteve në lëmit tjerë që kam.
Vendimet e marra organizojnë funksionimin e një shërbimi, por dhe jetën e përditshme të komunës dhe qytetarëve të saj.

Si femër, si ndihesh për një arritje të tillë?
– Është kënaqësi, por në të njëjtën kohë edhe përgjegjësi e madhe që e mbaj mbi supe.
Në të njëjtën kohë, arritja ime është dëshmia më e madhe që gjithçka është e mundur.
E, kjo sjellë motiv edhe për shumë femra…

Suksesi yt më i madhi deri më tash në karrierë?
– Këtu ju jam tash, si gruaja shqiptare e para dhe e vetmja nënkryetare në tërë Belgjikën.
Por, edhe diploma ime në master në kriminologji.

Po, në jetë?
– Natyrisht, familja zë vendin e parë.
Jam mirënjohëse për fatin që kam një familje të shëndosh, ku mbizotëron dashuria e mirëkuptimi.
U kushtoj shumë rëndësi momenteve që ndaj me familje.
Jam e bekuar që i kam pranë…

Si e tregon më hapur dhe në mënyrë të dukshme origjinën tënde?
– Në qershor të vitit 2019, për herë të parë vallëzohet vallja shqipe në komunën Evere, përballë komunës.
Të gjithë vallëzuan së bashku dhe u bashkëngjitën në valle;
Kërkova uljen në gjysmështizë të flamujve zyrtarë pas tërmetit e tragjedisë që ndodhi në Shqipëri, në shenjë solidariteti dhe mbështetje për Shqipërinë;
Në dhjetor të vitit 2019, në pazarin e festave të fundvitit, që e organizova në komunë si nënkryetare, inkorporova si temë edhe Shqipërinë dhe ushqimet tradicionale, vallëzimin dhe muzikën e mirëfilltë shqiptare. E, kjo u pëlqye shumë nga të gjithë banorët dhe shqiptarët prezentë, që banojnë në Bruksel;
Në shtator të vitit 2020 kam blerë një pikturë të Nënës Terezë, të cilën e kam vendosur në zyrën time në komunë.
E, këto janë vetëm disa nga gjërat që kam bërë, e që tregojnë se me aq sa mundem bëj për promovimin e vendit dhe kulturës tonë shqiptare.

Suksese të mëtejme!
– Ju faleminderit për bisedë!

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]