Komuna e Ferizajt duket se është duke “ngecur” në menaxhimin e mbeturinave.
Disa fotografi të postuara sot nga kryetari i LDK-së në Ferizaj, Visar Azemi, tregojnë gjendjen e qytetit pasi punëtorët e Kompanisë “Pastërtia” janë në grevë.
“Ironia e gjithë kësaj gjendjeje është se pushteti në Ferizaj grevën po e quan të paligjshme dhe të motivuar politikisht. Madje kompaninë në fjalë po e paralajmëron me shkëputje të marrëveshjes dhe hapje të garës për kompani të tjera publike e private. Pra, krejt këto akuza e kërcënime po i bën ndaj kompanisë ku Komuna e Ferizajt është vetë aksionare, me hiç më pak se 76.7% të aksioneve” ka thënë Azemi në reagimin e tij.
Ai thotë se qytetarëve është duke iu rrezikuar shëndeti nga ky ambient përplot mbeturina.
Ky është reagimi i plotë i tij:
Paaftësia e Komunës e ka shndërruar qytetin e Ferizajt në deponi të mbeturinave.
Kjo është gjendja e qytetit tonë sot! Ferizaji tash e sa ditë po kundërmon erë bërlloku. Komuna jonë po shndërrohet në një deponi mbeturinash pasi që punëtorët e KRM “Pastërtia” kanë hyrë në grevë.
Ironia e gjithë kësaj gjendjeje është se pushteti në Ferizaj grevën po e quan të paligjshme dhe të motivuar politikisht. Madje kompaninë në fjalë po e paralajmëron me shkëputje të marrëveshjes dhe hapje të garës për kompani të tjera publike e private. Pra, krejt këto akuza e kërcënime po i bën ndaj kompanisë ku Komuna e Ferizajit është vetë aksionare, me hiç më pak se 76.7% të aksioneve.
Sqarimi i sotëm nga pushteti komunal në Ferizaj është sa i paqartë, po aq i çuditshëm. Derisa qyteti është plot bërllok, qytetarëve po iu rrezikohet shëndeti. Të njëjtëve s’po iu bëhet e qartë se kush po e motivon politikisht një kompani ku Komuna i ka mbi 3/4 e aksioneve. Dhe fundja, pse qytetarët duhet të vuajnë paaftësinë e këtij pushteti për të siguruar funksionimin e mirëfilltë të një kompanie ku e ka shumicën e aksioneve.
Në anën tjetër, një pushtet është krejt i papërgjegjshëm kur komunikimin me një kompani e bën përmes kumtesave në rrjete sociale e jo nëpërmjet rrugëve institucionale. Aq më tepër derisa qytetin e ka vërshuar bërlloku dhe një situatë e tillë veç do të shkojë duke u përkeqësuar. Komuna e Ferizajt po ua rrezikon seriozisht shëndetin qytetarëve. Por, siç duket, pamjet e këtyre ditëve të qytetit janë imazhi i qeverisjes në Ferizaj. Ato janë pasqyra e vërtetë e këtij pushteti.