E dridh skenën prej vitesh, është femra e pushtetshme e skenës dhe shoubizit shqiptar, që nuk kalon kurrë pa bërë zhurmë, pa u vënë re. Është Fjolla Morina, joshëse, atraktive, shpërthyese, e hapur, e fortë për ta përballuar çdo dallgë të jetës, por edhe suksesin, famën, thashethemet. Në “Kosovare” një rrëfim i sinqertë i këngëtares për atë që ishte e është.
A ke menduar ndonjëherë që do të jesh kjo qe je bërë?
Kjo që jam natyrisht që jo, por që do të jem duke bërë diçka publike e kam ndjerë gjithmonë. Mendoj se që kur isha e vogël ishte e vërejtshme se kisha një tendencë drejt protagonizmit publik. Isha ajo vajza e familjes që udhëhiqte “koncertet” private të fëmijëve të familjes kur mblidheshin kusherinjtë, ajo që vishte takat e nënës, vinte shallin glamuroz me pupla. E dini si është, një divë e vogël në tentativë.
Si ndihesh kur thirret emri yt?
Ndjej përgjegjësi, ndjehem se po më thërrasin në përgjegjësi. Edhe kur ndodh nga fansat teksa jam në skenë më duket se më rëndojnë me përgjegjësi, që performance ime të jetë edhe më e mirë. Natyrisht, ndjej edhe kënaqësi, ndjej se po afirmohem nga publiku, nga njerëzit. A nuk është kjo ajo që duam të gjithë si qenie njerëzore? Të jemi të dashur dhe të pranuar nga të gjithë?
Që në fillim të karrieres u konsiderove senzacion. Çfarë ndikoj që morre aq shpejtë vëmendje?
Mendoj se që nga fillimi kam qenë origjinale. Kam qenë tepër e sinqertë. E mbaj mend që isha ndër të vetmet këngëtare që flisja hapur për intervenimet estetike. Në atë kohë intervenimet fshiheshin, fshihen edhe sot, por unë flas hapur. Besoj se publikut i pëlqen sinqeriteti. Po ashtu i jam përgjigjur me sinqeritet kritikave për fuqinë e zërit apo të kënduarit si të tillë. Vazhdoj të them njejtë: në shekullin 21 të jesh këngëtare ka të bëjë më shumë me performancën, për të kënduar kanë kënduar Nexhmije Pagarusha e Vaçe Zela. Ne e kemi shumë vështirë ta mbërrijmë qoftë edhe sipërfaqësisht nivelin e tyre artistik, prandaj edhe nuk duhet të pretendojmë shumë.
A të kujtohet kënga e parë?
Po, më kujtohet emocioni, stresi, paniku, bukuria e situatës me gjithë këto që përmenda. Sa e pafajshme kam qenë. Sa e sinqertë. Industria në të cilën bëj pjesë t’i lufton këto virtyte… E ruaj kujtimin për këngën e parë si referencë se si duhet të jem si njeri.
Po kënga me të cilën godite?
Me këngën “FB”. Një këngë që bëri kthesën në karrierën time.
Ngjarja jetësore që ka lënë gjurmë të pa shlyeshme në jetën tënde?
Lindja e vajzës së parë Ledianës. Nuk e di, ndoshta sepse është momenti kur njeriu, gratë në veçanti, plotësojnë një paracaktim natyror siç ështe lindja, e cila të jep një ndjenjë të shkëlqyeshme. Pavarësisht sfidave, sjeljja në jetë e fëmijës s’ka si të mos jetë e pashlyeshme.
Personi pa të cilin nuk mundesh?
Vajzat e mia. Shpresoj kurrë të mos jem pa to.
Marrëdhnia jote me të bijat?
Unë mundohem t’ju jap dashuri. Mundohem që para tyre të jem Fjolla e vërtetë, sepse e di që Fjolla i ka të gjitha që i duhen një njeriu të mirë: sinqeritetin, besnikërinë dhe nevojën për përparim. Marrëdhënia ime me to është po ashtu kësisoj: e sinqertë, besnike dhe përparon vazhdimisht.
A do ta paramendoje një jetë ndryshe?
Jetoj një jetë që do të duhej t’i jepej si mundësi çdo njeriu. Askush nuk duhet ta paramendojë jetën ndryshe. Unë besoj se njerëzit duhet të jenë të barabartë, në mirëqenien që dikush ndoshta e quan “luks”.
Mami është mbeshtetja dhe forca jote, apo?
Natyrisht, çdo nënë bën aq sa e ka të mundur që ta mbështesë fëmijën e vet. Ne nënat shpesh mendojmë se po e bëjmë më të mirën për fëmijët tanë dhe ndodnjëherë pa dashur e pa e ditur gabojmë, por, është e padiskutueshme që jemi forca e fëmijëve, sidomos kur flasim hapur me ta.
Cila është historia që fshihet pas këngës “Si ta pranoj”?
Ajo këngë i është dedikuar të gjithë njerëzve që kanë humbur dikë. Ne që krijojmë këngë shpesh I lidhim ngjarjet nga jetët tona me krijimin e këngëve por idea nuk është që ta paraqesim veten, gjithmonë tentojmë ta godasim atë njenjë që e kanë të gjithë diku të fshehur në veten e tyre. Unë sigurisht se kam pasur humbje të mëdha në jetë, e besoj çdo njeri ka pasur. Kënga synon t’i rehabilitojë ato ndjenja që zgjojnë kujtimet.
Se fundi keni hapur një butik. Çka ofroni, si quhet, kujt i dedikohen koleksionet?
Butiku është diçka që i ka munguar tregut kosovar, e ndoshta edhe më gjërë është i rrallë. Butiku ofron fustane të madhësisë së grave dhe vajzve të vogla të të njejtit stil. Ka ardhë si ide nga nevoja që shpesh kam pasur si nënë në ditëlindjet e vajzave të mija për të pasur një veshje të njejtë, për të treguar sa krenare jam me to duke veshur të njejtin fustan si ato. Ia kam lënë emrin e vajzës sime të vogël ALAYAH për arsye PR-i (Pi Ar), por koleksionet u kushtohen të dyjave.
Së shpejti po vjen hiti i radhës. Flasim pak për të?
Nuk do të duhejt të flisnim për të. Nëse flas, më nuk ka kuriozitet të publikut për të. Lidhni rripat e sigurisë dhe rrini gati. Nuk do t’ju zhgënjej.
Dhe…?
Mbani maskat, dëgjoni me kujdes këshillat e profesionistëve shëndetësorë.
Nderim Neziri