fbpx

Frizerja shqiptare ndër më të kërkuarat në Gjermani — njihuni me Valbona Spahiun

nga Revista Kosovarja

 

Valbona Spahiu, një emër tashmë i njohur në rrethin e Baden-Württemberg, është shembulli më i mirë se si puna me shpirt dhe qëndrueshmëria shpërblehen me sukses të merituar. E lindur dhe rritur në qytetin e bukur të Skenderajt, Valbona tash e 32 vite jeton në diasporë, duke ndjekur me vendosmëri ëndrrën që kishte që nga bankat e shkollës së mesme: të bëhej frizere.

Rrugëtimi i saj profesional nisi në Hollandë, ku përfundoi shkollën për frizere dhe jetoi për 16 vite. Pas kësaj, jeta e çoi në Gjermani, ku prej 16 vitesh jo vetëm që vazhdon të ushtrojë profesionin që e do me shpirt, por ka themeluar edhe sallonin e saj, “Hardesign Valbona” në qytetin Waiblingen, afër Stuttgart-it.

“Ka qenë gjithmonë ëndërr e imja të punoja me flokët. Nuk ka qenë rrugë e lehtë — shumë sakrifica, shumë rënie e ngritje, por asnjëherë nuk jam dorëzuar. E kam bërë këtë punë me shumë dashuri dhe kjo më ka shpërblyer,” tregon Valbona për gazetën tonë.

Sot, salloni i saj numërohet ndër më të njohurit për ngjyrosje dhe stilim flokësh në rajonin e Baden-Württemberg. Klientela e saj është e gjerë dhe e larmishme, duke përfshirë edhe figura publike dhe artistë shqiptarë që vizitojnë këtë zonë. Valbona thekson se në sallonin e saj të gjithë janë të mirëpritur, pa dallim kombësie apo përkatësie tjetër.

“Gjithmonë mundohem të jem korrekte dhe e sinqertë me secilin klient. Më rëndësi është të qëndrosh me këmbë në tokë dhe të mos harrosh kurrë nga vjen. Klientët këtë e ndjejnë dhe vijnë vetë tek ti, pa pasur nevojë për shumë reklamë,” shprehet ajo.

E ardhmja duket premtuese për Valbonën, e cila tashmë ka fituar besimin dhe dashurinë e klientëve të saj. “Jam e lumtur që shumë fytyra publike kanë qenë tek unë dhe janë ndarë të kënaqur. Shpresoj që edhe në të ardhmen të kem mundësi të mirëpres artistë të tjerë shqiptarë që vizitojnë zonën tonë,” shton ajo.

Me një karrierë 30-vjeçare në frizeri, Valbona është dëshmi se suksesi arrihet me pasion, përkushtim dhe dashuri për punën që bën.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]