Me draft-statutin për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe nuk do të ketë “shtet brenda shtetit”, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Haxhiu, ka thënë se draft-statuti për Asociacionin nuk parasheh autonomi për serbët.
“Nuk ka asnjë autonomi. Nuk do të ketë autonomi në Republikën e Kosovës. Kosova është shtet i pavarur dhe nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë që të ketë një shtet tjetër brenda shtetit tonë”, tha ajo.
Ministrja nuk deshi të flasë në hollësi për draft-statutin e Asociacionit, pasi tha se “nëse do të hyja në detaje të tjera, mendoj se nuk është përgjegjësi e imja”.
“Kur të bëhet publik do ta shihni edhe ju”, iu tha ajo gazetarëve.
Haxhiu tha se Kurti “është partner serioz” dhe se ka konsideratë për kërkesat e ndërmjetësve të dialogut. Ministrja tha se sa për Kurtin “teksti mund të jetë publik që prej dje”, por shtoi se “kjo nuk mund të ndodh dhe për këtë arsyet i ka përmendur kryeministri”.
“Kryeministri Kurti është partner serioz që i trajton me respekt, por edhe me konsideratë kërkesat e ndërmjetësve. Ai e ka ekipin e tij për dialog, me të cilin ndan dokumente të cilat kanë nevojë të vlerësohen dhe të komentohen. Konsultohet me presidenten e Republikës së Kosovës, po ashtu me kryetarin e Kuvendit, që janë krerë të institucioneve. Kur ka nevojë për vlerësimet e mia si ministre e Drejtësisë, unë jam gjithmonë në dispozicion”, tha Haxhiu.
“Në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje na ka njoftuar në vija të trasha mbi propozimin europiano-amerikan”, theksoi ajo.