Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë, që shpeshherë dalin të jenë edhe të mitur.
Një rast i tillë është zbuluar në fshatin Carrallukë të Malishevës, ku një 15-vjeçar është parë në një fotografi të publikuar në rrjete sociale, duke mbajtur një pistoletë në dorë.
Pas publikimit të imazhit, Hetuesit e Stacionit Policor në Malishevë kanë ndërmarrë veprime të shpejta hetimore dhe më 04 korrik 2025 kanë arritur të identifikojnë të miturin E.H., rreth 15-vjeçar, si personin në fjalë.
I njëjti është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe ka pranuar se pistoleta që shfaqej në foto ishte në pronësi të tij, duke sqaruar se bëhej fjalë për një pistoletë me gaz. Armën e ka dorëzuar vullnetarisht në prani të një familjari madhor.
Policia ka sekuestruar armën – një pistoletë me gaz, si dhe një karikator pa municion.
Me urdhër të Prokurorit për të Mitur, rasti është iniciuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, ndërsa i mituri është liruar në procedurë të rregullt.
Sinjali do të vijojë të përcjellë rastet e ngjashme ku ekspozimi i armëve në rrjete sociale kthehet në çështje penale.