Ekspertët paralajmërojnë se konsumimi i kafesë përpara analizave laboratorike të gjakut mund të çojë në rezultate të pasakta dhe të ndikojë negativisht në disa parametra kyç shëndetësorë.
Sipas udhëzimeve mjekësore, është thelbësore të qëndroni esëll të paktën 8 deri në 12 orë para marrjes së mostrës së gjakut – dhe kjo nënkupton shmangien e plotë të ushqimit, kafesë dhe çajit.
Kafeja mund të rrisë nivelin e glukozës në gjak, hormonët e stresit si kortizoli dhe adrenalina, si dhe kolesterolin LDL. Si diuretik, ajo gjithashtu mund të shkaktojë dehidratim, duke ndikuar në përqendrimin e elektroliteve dhe qelizave të gjakut.
Për analizat që kërkojnë agjërim – si glukoza, kolesteroli, trigliceridet, vitamina B12, hekuri, kortizoli dhe të tjera – rekomandohet që darka e fundit të konsumohet deri në orën 19:00 dhe në mëngjes të pihet vetëm ujë i pastër.
Gjithashtu, për të garantuar rezultate të sakta, sugjerohet të shmangni aktivitetin fizik të rëndë, alkoolin dhe ilaçet e panevojshme 48 orë para analizave.