Një polici të Gjilanit i është ngritur kallëzim penal nën dyshimin se ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke i mbajtur në mënyrë të pasigurtë çelësat e sirtarit ku ruhen armët, me ç’rast zyrtarja policore, Valdete Bllaca e kishte marrë armën dhe kishte kryer vrasje të shumëfishtë. Detaje rreth mënyrës së si Bllaca ia doli ta nxjerrë armën kanë dhënë në Prokurorinë e Gjilanit.
Një familje e tërë u shua mëngjesin e 18 shkurtit të këtij viti në Gjilan. Zeqir, Hanife, Blerim, Fisnik e Valdete Bllaca u gjetën pa shenja jete në shtëpinë e tyre në lagjen “Bojanina”.
Vrasja dyshohet se u krye me armën zyrtare nga e bija e vetme e kësaj familje, zyrtarja policore, Valdete Bllaca, e cila më pastaj bëri vetëvrasje.
Ajo kishte pranuar tretman mjekësor, disa muaj para se të kryente vrasjen e shumëfishtë dhe në bazë të raporteve, ishte rekomanduar që të punonte pa uniform dhe pa armë zyrtare.
Por, edhe pse i ishte marrë arma, Bllaca kishte arritur që ta nxjerrë armën nga Policia, për të kryer më pas vrasjen e shumëfishtë.
Në Prokurorinë Themelore të Gjilanit kanë deklaruar se kanë pranuar kallëzim penal nga Inspektorati policor ndaj XH.A, i cili ishte përgjegjës për ruajtjen e sendeve dhe armëve të zyrtarëve policorë.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Liridona Xheladini ka thënë se dyshohet se si pasojë e mbajtjes së çelësave në mënyrë të pasigurtë nga ana e tij, zayrtarja policore kishte arritur që të kopjonte çelësat, duke marrë armën e saj nga sirtari metalik.
“Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Gjilan, më 23 prill 2020, nga Inspektorati Policor i Kosovës, ka pranuar kallëzimin penal ndaj zyrtarit policor, tani të dyshuarit XH.A., i cili ishte përgjegjësi i vetëm për ruajtjen e sendeve/armëve të zyrtarëve policor, për shkak të veprës penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, të KPRK-së, sepse dyshohet se si pasojë e mbajtjes së çelësave në mënyrë të pasigurtë nga ana e tij, e ndjera V.B, kishte arritur që të kopjonte çelësat, duke marrë armën e saj nga sirtari metalik, me çka ka kryer veprat penale ‘’Vrasje e rëndë’’ dhe ‘’Vetëvrasje’’”, thuhet në përgjigjet e Xhaldinit drejtuar Gazetës Express.
Në Prokurori deklarojnë se ende nuk e kanë pranuar raportin e autopsisë.
“Prokuroria ende nuk ka pranuar raportin e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë”, ka thënë Xheladini.