fbpx

Kaos dhe uri në Gaza: Plaçkiten 77 kamionë me ndihma, OKB kërkon furnizim urgjent

nga Revista Kosovarja

Situata humanitare në Rripin e Gazës ka marrë përmasa alarmante, pasi një numër i madh banorësh të uritur ndaluan dhe plaçkitën 77 kamionë me ndihma humanitare nga Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së. Incidenti ndodhi gjatë rrugës për në qendrat e shpërndarjes, ndërsa banorët u përpoqën të sigurojnë ushqim për mbijetesë, shkruan Gazeta Sinjali.

Në një reagim zyrtar, organizata humanitare e OKB-së theksoi se për të rivendosur besimin dhe për të siguruar shpërndarjen efektive të ndihmave, “Rripi i Gazës duhet të përmbytet me ushqim”. Sipas saj, në dispozicion ndodhet mjaftueshëm ushqim për të mbuluar nevojat e të gjithë popullsisë prej 2.2 milionë banorësh për dy muaj – nëse sigurohen rrugë të sigurta, leje më të shpejta nga autoritetet izraelite dhe arrihet një armëpushim.

Pas një bllokade të zgjatur, Izraeli ka lejuar dërgesa të kufizuara ndihmash në territorin e rrethuar, duke pretenduar se masat kishin për qëllim të rrisnin presionin mbi Hamasin për lirimin e pengjeve të mbetura. Qeveria izraelite ka akuzuar Hamasin për keqpërdorim të ndihmave, një pretendim që grupi e mohon.

Ndërkohë, Fondacioni Humanitar i Gazës, i mbështetur nga SHBA, ka ngritur qendra të reja shpërndarjeje në jug të territorit, duke pretenduar shpërndarjen e mbi 3.8 milionë vakteve. Megjithatë, vëzhguesit raportojnë skena të rrëmujshme dhe mosorganizim, ndërsa agjencitë e OKB-së shprehin dyshime për kapacitetin real të këtij fondacioni për të përmbushur nevojat masive të popullsisë.

Ndërkohë, përpara syve të botës vazhdojnë të shfaqen skena dramatike, ku qindra mijëra palestinezë përpiqen të sigurojnë ushqimin më bazik për të mbijetuar në mes të luftës dhe bllokadës.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]