Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se seanca e përbashkët e sotme me Shqipërinë është dëshmi se jemi të pandarë.
“Jemi mbledhur në këtë seancë të përbashkët në fund të këtij viti, për të dëshmuar unitetin tonë përballë sfidave politike dhe gjeopolitike, të sigurisë që kanë shoqëruar rajonin tonë. Bëhen 3 vjet nga agresioni i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës, ne si rajon dhe Kosovë, e kemi ndier ndikimet e tërthorta dhe të drejtpërdrejta të këtij agresioni”, ka thënë Konjufca, transmeton IndeksOnline.
“Ky përbashkim i yni sot, i dy kuvendeve tona, duhet parë si dëshmi që Kosova dhe Shqipëria janë me njëra-tjetrën. Nuk mund të përfaqësojmë veçse interesin kombëtar, që është i përbashkët. Përfaqësojmë edhe idealin e përbashkët të integrimit evropian. Shqipëria ka ecur përpara në rrugën e integrimit”, vlerësoi tutje Konjufca.
“Kosova po e mbyll këtë vit e sulmuar nga elementë të mbështetur nga Serbia, që po synojnë destabilitetin e Kosovës. Sulmi ndaj kanalit të ujësjelllësit në Lepencë nuk mund të quhet veçse sulm terrorist nga ata që refuzojnë ta pranojnë Kosovën si vend sovran. Ky sulm ndaj infrastrukturës tonë kritike të furnizimit me ujë dhe energji, vjen 1 vit pas sulmit të rëndë në Banjksë. Organizator është Radojiçiç. mbështetur nga presidenti Vuçiç”, theksoi ai.