fbpx

Kujdes: Paralajmërimet e thonjve për shëndetin

nga Revista Kosovarja

Thonjtë shpesh na përçojnë sinjale paralajmëruese në lidhje me mosushqyerjen, infeksionet dhe sëmundjet serioze.

Ato janë shtresëzim i kreatinës, një proteinë kjo që gjendet edhe në lëkurë e flokë dhe që është e përbërë nga gjashtë shtresa. Pllaka e thoit është më e forta dhe e dukshmja, ajo ka funksion mbrojtës. Thonjtë rriten 2-3 milimetra çdo muaj, por thonjtë e dorës suaj më aktive rriten më shpejtë, e njëjta gjë ndodh edhe gjatë verës. Në kuadrin e thonjve si lajmëtarë ato paralajmërojnë sëmundje të ndryshme.

Sëmundja e tiroides. Sëmundjet e hipertirozës dhe hipotirozës janë të lidhura respektivisht me humbjen dhe fitimin e peshës. Pavarësisht kësaj, mjekët i lidhin shpesh ndryshimet e thonjve me sëmundjen e tiroides. Dalja apo shkulja e thoit nga shtrati i tij sugjeron praninë e hipertirozës. E njohur si “thoi i Plumerit” ky kusht haset kur një thua, më shpesh ndodh me atë të unazës së martesës ose me gishtin e vogël, ndahet nga mishi. Kjo shkëputje mund të ndodhë në majën e thoit ose në anët e tij. Për shkak të papastërtive që kanë duart dhe thonjtë, kjo çarje mund të shkojë deri në infektimin bakterial të trupit. Një tjetër simptomë e hipotirozës janë thonjtë e lugët që duken si të futur në mish. Në të gjitha rastet e mësipërme është mirë që sapo të pikasni shenja të tilla në thonjtë tuaj t’i drejtoheni mjekut.

Problemet kardiovaskulare. Presioni i lartë i gjakut dhe nivele të larta kolesteroli janë treguesit e përbashkët të problemeve kardiovaskulare, por ka edhe disa ndryshime të pamjes së thonjve që jua tregojnë këtë. Nëse vini re vijëza të kuqe të dukshme poshtë thonjve tuaj, mund të jetë një shenjë që sinjalizon infeksionin e valvulave të zemrës. Anomalitë me zemrën mund të çojnë në deformimin e formës së thonjve.

Stresi dhe anoreksia. Nëse kafshoni thonjtë, mos mendoni se jeni i vetmi. Rreth 50 për qind e fëmijëve dhe adoleshentëve nga mosha 10-18 vjeç kafshojnë thonjtë. Ky ves shpreh nervozizmin njëlloj si veprimi i ecjes lart e poshtë apo thithja e gishtit. Edhe pse kafshimi i thonjve nuk është një dëmtim i përhershëm për shëndetin tonë, është një zakon i cili dëmton anën estetike të thonjve. Mundet gjithashtu që nëpërmjet kafshimit të thonjve të marrim infeksione në gishtërinj ose në gojë. Ngrënia e thonjve kategorizohet edhe si një çrregullim i impulseve nervore. Nëse e shihni që ky ves po ju del jashtë kontrollit atëherë bëni mirë t’i drejtoheni një specialisti.

Diabeti. Nëse i lyeni shpesh thonjtë, atëherë do të keni pikasur një ngjyrim të verdhë pasi hiqni manikyrin. Nëse ky ngjyrim i verdhë qëndron për shumë kohë, atëherë ka mundësi që të jetë diabet. Kjo sëmundje mund të sjellë ngjyrim të verdhë edhe për thonjtë edhe për lëkurën, por më shumë e dukshme është te thonjtë. Ndryshimi i ngjyrës ka mundësi të shkaktohet nga reaksioni i glukozës me proteinat e kolagjenit të thonjve. Nëse vini re që ngjyra nuk po ju largohet dhe se simptoma të tjera të diabetit po shfaqen te ju, atëherë mos ngurroni t’i drejtoheni një mjeku.

Problemet pneumonike. Kur vini re një hije të lehtë blu në thonjtë tuaj, aty ku kozmetika nuk ka gisht, atëherë kjo do të thotë rrezik. Ngjyra blu e thonjve e ndërthurur me një ngjyrim të lehtë blu të buzëve mund të sinjalizojë një problem shëndetësor të lidhur me oksigjenin në trup. Mund të ketë lidhje me nivelin e ulët të hemoglobinës, astmën, emfizemën, bronkopneumoni kronike ose pneumoni. Përveç problemeve pneumonare, thonjtë blu mund të sinjalizojnë edhe për probleme zemre. Nëse thonjtë kthehen në blu, pavarësisht gjendjes është një shenjë që tregon se situata është e rëndë.

Mangësitë në ushqyerje. Kur ushqehemi shëndetshëm vezullojmë bukuri nga brenda dhe nga jashtë. Proteinat dhe vitaminat në ushqimet që hamë janë një pasqyrë e mirë e rezultateve që do t’i shohim shumë shpejt në trupin tonë. Thonjtë mund të shprehin mungesën e disa elementeve siç janë për shembull hekuri, proteinat kristalore dhe ato të thjeshta. Kur thonjtë tonë janë shumë të bardhë, atëherë kjo nënkupton se ne vuajmë nga anemia. Kjo është një sëmundje e shkaktuar nga mungesa e hekurit. Por një tjetër çrregullim i hekurit në trup i quajtur hemokromatiz, që vjen si pasojë e tepricës së hekurit në gjak, sjell përsëri pika te thonjtë. Kur ka shumë mungesë të proteinave, atëherë mund të ndodhë edhe një shformim i thoit.

Melanoma është një pigment i errët, që shfaqet si pasojë e kancerit. Mendojmë shpesh se kanceri i lëkurës do të shfaqet vetëm në zona të trupit të ekspozuara ndaj dritës, por melanoma shfaqet edhe në thua. Ky lloj kanceri i lëkurës është ndër më të përhapurit në Afrikë, Amerikë dhe Azi. Melanoma shfaqet në formën e vijave të zeza nën thonj, ndaj nëse e vëreni te vetja atëherë është një rast urgjent për t’iu drejtuar mjekut.

Infeksionet. Kur lëkura e thonjve tuaj është e acaruar, e kuqe dhe ju dhemb, atëherë kjo është një mënyrë për të kuptuar se diçka nuk shkon me shëndetin tuaj. Ashtu sikurse pjesët e tjera të trupit edhe thonjtë preken nga infeksionet, bakteret dhe viruset. Zakonisht infeksionet e thonjve nuk kthehen në probleme serioze për shëndetin, por duhet të kërkoni ndihmën e mjekut për të rikuperuar dobësinë që shfaq sistemi juaj imunitar përpara infeksionit. Kërpudhat janë një bakter i cili sulmon mbi 12 për qind të njerëzve sot. Prekja nga ky bakter çon në dobësimin e thonjve, ndryshimin e ngjyrës së tyre dhe marrjen e një pamjeje blu në gri. Kërpudhat janë shumë të vështira për t`u trajtuar, duhet një këshillë e specializuar dhe disa muaj për të shpëtuar prej tyre. Infeksionet bakteriale sulmojnë lëkurën rreth dhe brenda thoit, ato janë aq të rrezikshme sa mund të çojnë deri në humbjen e thonjve. Viruset shkaktojnë lytha rreth ose poshtë thonjve, për këtë arsye duhet që një mjek të veprojë në atë zonë.

Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]