E kam vështirë t’i përshtatem kësaj kohe… Disi, më duket dhe jo vetëm mua, sikur ka çrregullim mental kolektiv!
Së pari, më kanë zhgënjyer jo pak shokët dhe miqtë e mi, madje ata të fëmijërisë dhe të rinisë dhe miqtë familjarë, shokët që kemi punuar, jetuar si vëllezër shumë vjet!
Siç thonë, të mirën dhe të keqen e kemi ndarë gjithmonë bashkë. Thuajse ka ndodhur një hokus-pokus dhe ka ndryshuar çdo gjë.
Njerëzit i ka kapluar një ankth, një tërbim, duan të të hanë për së gjalli: të rrejnë, të mashtrojnë, ta fusin ndërskamcën në mënyrë irracionale, pa pasur kurrfarë fitimi, vetëm nga smira, nga dëshira për ta bërë një të keqe. E kanë humbur arsyen.
“Kuku, medet, ç’kohë pritëm, jetojmë!”, fjalë këto të një burri të dëshpëruar, të zhgënjyer në të sotmen, nga e cila dëshiron të ikë, qoftë edhe nga Kosova për të cilën dha shumëçka. La luksin në Gjermani, la gjymtyrën për lirinë e Kosovës.
Troket me paterica nëpër dyert e institucioneve që nuk i dalin në ndihmë tash e 20 vjet.
“Aiiiii… a po e di se na ke lodhë, allahile! Ktheu në Gjermani e merre pensionin për ato vite që ke punuar atje!”, i thonë, në vend të përgjigjes së kërkuar.
Gani Dili