fbpx

Kurti në koncertin e Shkurte Fejzës: Në ditët e errëta të robërisë, na keni frymëzuar e ngushëlluar…

nga Revista Kosovarja

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në koncertin e këngëtares së mirënjohur, Shkurte Fejza, “50 vjet zëri i kombit”, në 50- vjetorin e karrierës së saj, i organizuar dhe i mbajtur në kuadër të agjendës shtetërore për shënimin e 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës.

Nën atmosferën festive të koncertit, kryeministri pati një fjalë rasti ku theksoi se sa e vështirë është ta marrësh fjalën para këngës, dhe dyfish vështirë përballë kremtes së 50- vjetorit të zonjës që mori fjalën për qëndresën dhe sakrificën e popullit shqiptar.

“Me juve Shkurte, mbarë Kosova e mori harkun e përbashkimit me notat e muzikës. Ky gjysmë shekulli i këngës suaj Shkurte është plot një shekull i gjatë i popullit tonë. Në ditët e errëta të robërisë, neve këtu dhe motrat e vëllezërit tonë të mërguar, na keni frymëzuar e ngushëlluar, na keni dhënë shpresë e forcë, që zemra kurrë mos të harroj dashninë për Kosovën dhe kombin”, tha kryeministri.

Para shumë të pranishmëve në këtë koncert, kryeministri u shpreh se do ta marrim qarkun edhe sonte si ngahera me këngët tuaja: “qarkun e dashurisë së përbashkët për tokën tonë, qarkun e dashurisë sonë të përjetshme për jetën e lirë, të dashurisë së pavdekshme të secilës e të secilit që lindi, deshi, punoi e luftoi, ra e jeton për Kosovën”.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuar kryeparlamentar Glauk, e nderuar zëvendëskryeministre Donika,

Të nderuara ministra, deputetë e përfaqësues të institucioneve, kryetarë të komunave,

Të nderuar ambasadorë e përfaqësues të shteteve mike,

I nderuar kompozitor i ”Xhamadani Vija Vija”, Zef Çopa,

Të dashur pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, trevat e tjera shqiptare e nga mërgata,

Të nderuar zonja dhe zotërinj, të dashura motra dhe vëllezër,

Është vështirë ta marrësh fjalën para këngës, dhe dyfish vështirë përballë kremtes së 50- vjetorit të zonjës që mori fjalën për qëndresën dhe sakrificën e popullit shqiptar. Andaj unë i kërkoj faje zonjës Fejza, që po e marr fjalën fare shkurtimisht për t’ju falënderuar asaj nga zemra ime dhe nga zemra e madhe e popullit të Kosovës.

Me juve Shkurte, mbarë Kosova e mori harkun e përbashkimit me notat e muzikës. Ky gjysmë shekulli i këngës suaj Shkurte është plot një shekull i gjatë i popullit tonë. Në ditët e errëta të robërisë, neve këtu dhe motrat e vëllezërit tonë të mërguar, na keni frymëzuar e ngushëlluar, na keni dhënë shpresë e forcë, që zemra kurrë mos të harroj dashninë për Kosovën dhe kombin.

Andaj do ta marrim qarkun edhe sonte si ngahera me këngët tuaja: qarkun e dashurisë së përbashkët për tokën tonë, qarkun e dashurisë sonë të përjetshme për jetën e lirë, të dashurisë së pavdekshme të secilës e të secilit që lindi, deshi, punoi e luftoi, ra e jeton për Kosovën.

Jemi mirënjohës për dhuratën e këngës suaj që na bashkon sot e gjithnjë e përgjithmonë.

E tash le ta festojmë sonte këtë përvjetor që përkon më 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës. Për 50 vjet të tjera jetë, të mbushura me muzikë për ju, dhe për një përjetësi në liri për Kosovën dhe shqiptarët.

Gëzuar!

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]