“Dialogu me Serbinë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe integrimet europiane dhe veriatlantike, e presin Qeverinë re të drejtuar nga LDK-ja, por kjo e fundit, është gatshme të merr përsipër fatin e vendit dhe të shtetit të Kosovës, pavarësisht çmimit që duhet të paguaj si parti politike, por çmimi i cili është në të mirën e vendit dhe integrimeve të lartpërmendura”, ka thënë Fatmir Bajraj.
Çdo ditë e më shumë po shtohen zërat për krijimin e një qeverie të re, ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate, Aleancës Kosova e re, si dhe pjesë e saj priten të jenë edhe minoritet.
Analistët vlerësojnë se Kryeministri në detyrë, Albin Kurti së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje nuk ishte e gatshme të përballët me proceset e rëndësishme, një ndër to edhe dialogu me Serbinë.
Zogaj: Kush janë këta që propagojnë kështu?
Analisti politik, Skënder Zogaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur për gjendjen politike në vend, ku ka thënë se njerëzit flasin e akuzojnë pa asnjë dëshmi konkrete, që shajnë dhe kërcënojnë veprimtarë, institucione e personalitete botërore, që “na bëkan marrëveshje të fshehta prapa shpinës së shqiptarëve të Kosovës”.
“Gjithë shqiptarët kudo që janë, e në veçanti shqiptarët e Kosovës i ka zënë uthi dhe, u është mjegulluar vetëdija në përmasën e një mallkimi biblik, sepse, më të zhurmshmit më së paku e dinë se çfarë thonë, e çfarë bëjnë! Këta me gjasë janë idealistat e ri të trazimit të rrugës për shkuarje sa më krenare kah gremina! Të këtillët po e yshtin forcimin e injorancës, e cila po bën kërdi, duke i fry propagandës së tmerrshme që po zhvillohet, për të mos lënë gjë të ndershme në Kosovën që po kalbet nga thashethemet!
A ka gjë më trishtuese se sa gjendja politike aktuale në Kosovë, ku gjithçka është e supozuar, ku njerëzit flasin e akuzojnë pa asnjë dëshmi konkrete, që shajnë dhe kërcënojnë veprimtarë, institucione, e personaliteteve botërore, që na bëkan marrëveshje të fshehta prapa shpinës së shqiptarëve të Kosovës!
Kush janë këta që propagojnë kështu? Disa analistë pa i fije truri, të cilët e shfrytëzojmë gjendjen e shkallmuar të mediave tona lypsare, që varen nga sponsorë të hamadreqit!
Kjo gjendje e mjerë po manifestohet edhe në lidhje me krizën aktuale qeveritare, të cilën po e vajtojnë halabakët e të gjitha koluareve të pista, duke trumbetuar gjithëfarë rrena e mashtrime, jo të paqëllimta!”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.
Sa i përket, formimit të Qeverisë së re, Zogaj ka potencuar se e kushtëzuar nga Kushtetuta dhe, çdo zgjidhje sipas kushtetutës, nuk ka pse të diskutohet.
“Formimi i Qeverisë së re nuk është çështje e koluareve, por është e kushtëzuar nga Kushtetuta dhe, çdo zgjidhje sipas kushtetutës, nuk ka pse të diskutohet! Qeveria e re nuk mund të kushtëzohet nga urrejtjet ose simpatitë ndërpartiake, por nga parimet kushtetuese! Nëse Kushtetua ua jep rastin, pse u dashka shikuar me dyshim fjala vjen, koalicioni LDK-AAK-Nisma-AKR etj.!? nëse këto pari kanë vullnet të bashkohen dhe të krijojnë numrat e nevojshëm! A janë edhe këto parti të dalura nga vota e popullit të Kosovës?! Prandaj, pse u dashka të mos respektohet vullneti i këtyre partive, nëse LVV fjala vjen, nuk e përmbush kriterin kushtetues?! Sa i përket nënshkrimit të marrëveshjes me Serbinë, kushdo qeveri qoftë, duhet ta nënshkruaj marrëveshjen, prandaj, kush e nënshkruan as që ka rëndësi, por çka nënshkruan është problemi! Propaganda po mundohet me e turbullu edhe këtë problem sepse, sa më shumë thashetheme aq me e keqe do të vie përmbajtja e marrëveshjes, kjo është e sigurt!”, ka thënë Zogaj për “Bota sot”.
Bajraj: Qeveria e re LDK, AAK, NISMA, AKR dhe minoritetet, grupi më i mundshëm në kontekstin aktual
Ndërsa, analisti dhe njohësi i çështjeve politike në vend, Fatmir Bajraj, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka shpjeguar tri zgjidhjet e mundshme të situatës politike të krijuar në vend.