Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media ka reaguar pas rrëzimit që Gjykata Kushtetuese i bëri Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Në reagimin e tyre thuhet se ky është dështimi i radhës për kapje të shtetit. Ata kërkojnë shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu,
Njoftimi i plotë:
Dështimi i radhës për kapje të shtetit. Sot Gjykata Kushtetuese e shpalli Aktgjykimin lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-136 për
Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Gjykata Kushtetuese i ka vlerësuar si të pranuara të gjitha pretendimet e ngritura nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), se ligji në fjalë në pjesën materiale të saj është kundër kushtetues, rrjedhimisht ai duhet të shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij.Rrëzimi i këtij ligji është rrëzim i tendencës së pushtetit për të kapur sistemin e drejtësisë.
Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se më e pakta që duhet të ndodh tani është shkarkimi i menjëhershëm i Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu si shkelëse e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.Shkelësit e kushtetutës nuk duhet të kenë vend në institucionet publike, aq më pak në krye të institucionit kryesor të drejtësisë.
Lidhja Demokratike e Kosovës ndërsa, gjithmonë do jetë në mbrojtje të Republikës sonë dhe rendit tonë kushtetues; një fushë që ky pushtet duket se nuk e kupton.