Qeveria LVV-LDK tashmë vazhdon të jetë e shkarkuar dhe punën po e vazhdon si qeveri në detyrë. Por, LDK është duke pritur që të provojë të marrë drejtimin e qeverisë së re, nëse atë nuk arrinë ta bëjë LVV, që i takon sipas Kushtetutës.
Gazeta Online Reporteri.net, nga burime në LDK ka mësuar se lidershipi i kësaj partie, apo më saktë kryesia e ngushtë është duke i kërkuar kreut të partisë Isa Mustafa, që ai ta marrë drejtimin e qeverisë së koalicionit LDK-AAK-NISMA. Gjithnjë nëse LVV nuk arrinë ta bëjë qeverinë në bazë të kërkesës së Presidentit që i ka dërguar kreut të kësaj partie, për mandatarin e ri.
Isa Mustafa sot i ka dërguar një email Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij, ku i kërkon të deklarohen nëse janë pro apo kundër që të krijohet një qeveri e re pa zgjedhje, së cilës do t’i printe LDK, e që në koalicion do të kishte AAK’në dhe Nismën.
“A pajtoheni që LDK ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë, në qoftë se ky mandat ofrohet duke ndjekur procedurat kushtetuese dhe të bëjë përpjekje të formojë Qeverinë në koalicion me AAK-në, Nisma SOCIALDEMOKRATE dhe komunitetet. Përgjigja:PO ose JO. Ju lutem që të përgjigjeni përmes emailit në adresë të LDK-së (nga e cila adresë e keni marrë këtë email) deri më 14 prill 2020, në orën 16:00”, thuhet në komunikimin që kreu i LDK’së ka bërë përmes emailit me anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
Përveç kësaj, LDK ka filluar negociatat e brendshme edhe për kandidatin për kryeministër, nëse LVV dështon të formojë qeverinë, dhe Presidenti në bazë të procedurave kushtetuese i ofron mandatarin partisë së dytë më të madhe të dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare.
Në këto diskutime, siç mëson Gazeta Online Reporteri.net, lidershipi i LDK’së, është duke kërkuar nga kryetari Mustafa, që ai të jetë në krye të kësaj qeverie.
Nëse kjo do të ndodhte, Mustafa do të merrte për herë të dytë kreun e qeverisë së Kosovës, edhe pse partia e tij në të dy rastet nuk kishte dalë si parti e parë.
Kështu kishte ndodhur edhe në vitin 2014, ku pas një bllokade gjashtëmujore me VLAN’in e famshëm, ishte arritur koalicioni PDK-LDK, me kryeministër Mustafën, dhe me president keun e atëhershëm të PDK’së, Hashim Thaçi, post të cilin vazhdon ta mbajë edhe sot, deri në fund të mandatit në fillim të vitit të ardhshëm. /Reporteri.net