Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka folur në një konferencë për media sot në lidhje me raportimet e sotme se ai nuk ka nënshkruar me qëllim kontratën me Pfizer për ardhjen e vaksinave në Kosovë.
Vitia para mediave ka thënë se ky raportim nuk qëndron dhe është krejtësisht i pavërtetë.
Madje ka thënë se raportime të tilla dëmtojnë edhe procesin e sigurimit të vaksinave.
“Sot në vend të një konference për të lajmëruar ecurinë e masave, apo për masa të reja, më duhet të flas për një temë tjetër për një lajm të pavërtetë i cili po të mos ishte i dëmshëm do të reagonim të hënën apo fare. Lajmi i publikuar në Insajderi është i pavërtetë, i dëmshëm dhe dashakeq. Është i pavërtetë sepse ata që janë siguruar me kinse informacione zyrtare janë krejtësisht të pasaktë. Çështja është konfidenciale. Ata e kuptojnë që këto dhëna janë konfidenciale. Ata që rrjedhin të dhëna të tillë, kanë dëmtuar dhe rrezikuar shëndetin e qytetarëve. Procesi i sigurimit të vaksinave nuk është lojë. Të rrezikosh sigurimin e vaksinave, ke rrezikuar shëndetin e qytetarvëe dhe për këtë duhet pasur llogaridhënie”, ka thënë Vitia.
Ai ka lavdëruar edhe Komisionin për sigurimin e vaksinave.
“MSH ka themeluar një komision për sigurim të vaksinave dhe i njëjti është funksional. Kjo trupë është nën betim të konfidencialitetit që nënkupton se nuk mund të jap asnjë detaj. Ajo që mund të them është se jam i kënaqur me punën dhe progresin”, ka thënë ai.