Një mjek në Shtetet e Bashkuara ka shpërndarë pamje me rreze X që e shfaqin dallimin e dukshëm mes mushkërive të një të infektuari me Covid që është vaksinuar me një të infektuar të pavaksinuar.
Dr.Ghassan Kamel, drejtor i repartit për kujdes intensiv në spitalin universitar Saint Louis në Missouri, ka trajtuar mijëra pacientë me koronavirus që nga shpërthimi i pandemisë në mars të vitit të kaluar.
Imazhet me rreze X të mushkërive të të infektuarit të pavaksinuar janë pothuajse tërësisht të bardha, që nënkupton se mushkëritë janë të mbushura me virus dhe ka mungesë të depërtimit të ajrit në to, shkruan Daily Mail.
Në anën tjetër, fotografimi me rreze X i pacientit të vaksinuar shfaq sasi të konsiderueshme të ajrit që qarkullon në mushkëri dhe mushkëri kryesisht të lira nga virusi.
Koronavirusi shpesh mund të sjellë ndërlikime në organet e frymëmarrjes, siç është pneumonia, e cila i mbush mushkëritë me lëng dhe shkakton ndezje.
Pasi qeskat e mushkërive mbushen me lëngje, ato nuk kanë mundësi të thithin aq shumë oksigjen, gjë që shkakton simptoma të tjera si kollitja dhe shkurtimi i frymëmarrjes.
Ndryshe, udhëheqës nga vende të ndryshme të botës po bëjnë thirrje për vaksinim sa më masiv, ndërsa disa qeveri kanë marrë edhe masa konkrete nxitëse për këtë qëllim, duke ofruar të holla apo ditë pushimi shtesë për ata që vaksinohen.