fbpx

Në Veri të Kosovës të dislokohet policia nga Prishtina

nga Revista Kosovarja

Veriu i Republikës së Kosovës është vatër e destabilitetit të Kosovës, në të cilën ka dorë Serbia, sa për destabilitet të Kosovës, po aq edhe për kriminalitet ekonomik, shkruan “Kosovarja”.

Veriu i Kosovës është një tampon-zonë, në të cilën ka koncentrim të MUP-it nga Serbia. Në këtë pjesë të Kosovës serbët veprojnë direkt me urdhrat e Beogradit.

Sepse, ishte vrasja e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, si dhe shumë e shumë kërcënime të liderëve serbë që u janë bërë personave të caktuar që nuk shkojnë në vijën Vuçiçit.

Janë djegur sa e sa vetura të politikanëve opozitarë dhe të atyre që kanë lëshuar ndonjë deklaratë politike jashtë politikave të Beogradit; janë vrarë e plagosur edhe zyrtarë ndërkombëtarë, që kanë shërbyer në misionet e UNMIK-ut në veri.

Së fundi, janë kërcënuar me vrasje disa alpinistë të jashtëm, të udhëhequr nga kosovarët, e që kishin mësyrë bjeshkët e Leposaviqit.

Në veriun e Kosovës ka ndërtime ilegale, por, në fakt, janë ndërtime të Serbisë, të cilat dihet se po e kolonizojnë Kosovën me refugjatë serbë, të ikur nga Krajina e Kroacisë, pasi u shpërbën nga aksioni ushtarak kroat “Olluja” (“Stuhia”).

Andaj, gjendja e brishtë e sigurisë në veriun e Kosovës, duhet të infuzionohet me eprorë dhe policë shtesë nga Prishtina, në kuadër të stacioneve policore në të katër komunat veriore të Kosovës.

Në stacionet policore duhet të dërgohen eprorë shtesë policie, por edhe patrullimet të kenë më shumë policë për vënie nën kontroll sigurinë e vendit.

Sepse, nëpërmjet pranisë së policisë nga Prishtina në Veri, do të ketë më shumë gjasa të operacionalizohen aksione për arrestimin dhe neutralizimin e forcave destruktive në veri.

Sipas shumë informacioneve zyrtare që kanë qarkulluar në medie dhe qarqe të tjera, atje serbët detyrohen të veprojnë sipas urdhrave të Radojçiçit e Veselinoviqit, struktura të nëntokës së krimit të Serbisë, që Beogradi ua ka lënë në dorë kriminelëve.

Sipas po të njëjtave burime, “Lista Serbe” është e lidhur direkt me strukturat e tilla dhe është e formuar nga Vuçiçi, me qëllim të sabotimit të politikës së qeverisë kosovare në veri dhe më gjerë në Kosovë.

Pse në Veri të Kosovës duhet të dislokohet policia nga Prishtina?
Veriu i Kosovës duhet të përforcohet nga struktura policore të Prishtinës, për të identifikuar banorët e atjeshëm, sidomos banorët e banimeve kolektive.

Sepse, nuk dihet kush jeton në atë pjesë, meqë serbët refuzuan regjistrimin e popullatës së Agjencisë së Statistikave të Republikës së Kosovës më 2011.

“Sipas rezultateve përfundimtare të regjistrimit, 1.739.825 është numri i banorëve që jetojnë në territorin e Kosovës, duke përjashtuar komunën e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanin dhe pjesën Veriore të Mitrovicës”, thuhet në shënimet mbi rezultatet përfundimtare të Agjencisë së Statistikave të Republikës së Kosovës, publikuar në prill të vitit 2011.

Andaj, nuk dihet sa është numri i popullatës që jeton në këtë pjesë të Kosovës dhe nga kanë ardhur ata…

Dhe, duke ditur se ushtria e Kosovës e ka të ndaluar zbarkimin dhe qarkullimin në Veri të vendit, sipas “Planit të Ahtisarit” dhe Marrëveshjes NATO-Thaçi, i vetmi organ sigurie që mund të qëndrojë në katër komunat andej Ibrit, është Policia e Kosovës, e cila ka të drejtë të veprojë me forcat e veta në rast nevoje.

Andaj, meqë BE-ja dhe SHBA-ja e përkrahin demaskimin e krimit të organizuar kudo në Kosovë, si dhe çdo kund tjetër, Qeveria Kurti duhet të përvishet që ta menaxhojë edhe këtë pjesë të Kosovës ashtu si duhet…

Por, edhe pagesa 11 milionë euro nga Buxheti i Qeverisë së Kosovës, për energjinë e shpenzuar nga serbët në Veri, duhet t’i japë të drejtën shtetit të vendosë kontroll edhe në atë pjesë të Kosovës.
Safet Krivaça /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]