fbpx

Nesër seanca e 28-të në përpjekje për ta konstituuar Kuvendin

nga Revista Kosovarja

As pas katër muajsh nga zgjedhjet, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet. Edhe pse nesër pritet të mbahet përpjekja e 28-të për zgjedhjen e Kryesisë së Kuvendit, sinjal për zgjidhje të ngërçit nuk ka.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë në kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ndonëse ajo nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme në asnjë nga përpjekjet e mëparshme.

Nga ana tjetër, partitë opozitare mbesin të palëkundura në qëndrimin se Haxhiu “nuk është figurë konsensuale” dhe kanë bërë të ditur se do të mbështesnin kandidatë tjerë të pranueshëm nga VV-ja, nëse kjo e fundit do të shfaqte gatishmëri për të lëvizur nga pozicioni aktual.

Por partia fituese vazhdon të theksojë të drejtën e saj për të propozuar kandidatin si subjekti i parë.

Ndërkohë, seancat e shkurtra që mbahen çdo 48 orë, të cilat nuk zgjasin më shumë se disa minuta, po shoqërohen me pagesa të rregullta për deputetët, një fakt që ka shtuar zemërimin e qytetarëve.

Pakënaqësia qytetare ka filluar të shprehet edhe fizikisht. Një grup i vogël protestuesish u mblodhën dje para ndërtesës së Kuvendit, pak para mbajtjes së seancës së 27-të, për të shprehur zhgënjimin me situatën dhe për të kërkuar që të zgjidhet bllokada.

Edhe gjatë kremtimit të Bajramit sot, tema e rrogave të deputetëve dhe bllokada parlamentare nuk mungoi.

Gjatë vizitës së një delegacioni të qeverisë në largim të kryesuar nga Albin Kurti në Bashkësinë Islame të Kosovës, kryemyftiu Naim Tërnava tha: “…desha t’i ftoj të gjithë deputetët e parlamentit ta prejmë nga një kurban. Ndoshta po ju shkon mbarë e mirë. Ndoshta hapen rrugët. Temë e kam pasur natalitetin dhe kam kërkuar kush i ka nga 4-5 fëmijë t’i bëhet një banesë se po zbehet Kosova. Ka rënë shumë nataliteti”, tha Tërnava.

Në përgjigje, Kurti bëri një lloj distancimi, duke thënë: “…rrogat po ju ecin…”.

Ndërsa një zë tjetër nga pala e Bashkësisë Islame reagoi me humor: “Najfarë mësyshi e keni…”.

Deputetët pritet të mblidhen sërish të shtunën. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pas përpjekjes së fundit të pasuksesshme, njoftoi: “Takohemi përsëri më 7 qershor në ora 11:00.”

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]