fbpx

Pa kokë dhe trup i djegur, gjendet e pajetë eskorta rumune- Flet autori i ngjarjes

nga Revista Kosovarja

Është zbardhur ngjarja makabre që tronditi opinionin publik në Itali: trupi i Maria Denisa Paun, e njohur edhe si “Adas”, eskortës rumune 30-vjeçare që jetonte në Romë, u gjet më 4 qershor në një zonë të pyllëzuar pranë një shtëpie të braktisur në Montecatini Terme.

Trupi ishte fshehur midis shkurreve, pa kokë dhe i djegur pjesërisht. Denisa ishte zhdukur natën e 15 majit në Prato.

Vetëm pak orë pas zbulimit makabër, Karabinierët arrestuan një 32-vjeçar rumun, Vasile Frumuzache, banues në Monsummano Terme, i martuar dhe me dy fëmijë. Ai punonte si roje sigurie dhe konsiderohej i armatosur e shumë i rrezikshëm. Arrestimi u bë në një operacion të koordinuar nga njësitë speciale GIS dhe Prokuroria e Pratos, shkruajnë mediat italiane.

Frumuzache e ka pranuar autorësinë e krimit, duke deklaruar: “Ajo po më shantazhonte, prandaj e vrava.”

Si ndodhi vrasja?

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Pratos dhe Karabinierëve të Firences, nën drejtimin e prokurorit Luca Tescaroli, Denisa u vra natën e zhdukjes së saj në dhomën 101 të një rezidence në rrugën Ferrucci në Prato, ku ajo priste klientët. Një kamerë sigurie regjistroi autorin duke hyrë në rezidencë në orën 22:50 me një çantë të zezë dhe duke qëndruar aty për më shumë se dy orë.

Rreth orës 01:05 të mëngjesit, kamera e regjistroi sërish teksa largohej me valixhen e bardhë të Denisës. Brenda saj ndodhej trupi i pajetë i gruas, i cili më pas u transferua në bagazhin e Golfit të autorit.

Zbulimi i trupit dhe provat

Trupi u gjet mëngjesin e 4 qershorit, në një zonë të pyllëzuar jo larg klubit “Le Panteraie”, falë gjurmimit të GPS-it të makinës së autorit, i instaluar nga kompania e sigurimeve. Vetëm disa metra më tutje, u gjet edhe valixhja e bardhë.

Urdhër-arresti për Frumuzache u lëshua mbi bazën e pamjeve të kamerave, analizës së të dhënave telefonike dhe pozicionimit GPS. Prokuroria dyshon se ai ka vepruar i vetëm, por motivi përfundimtar i krimit mbetet ende nën hetim.

Një fund tragjik për Denisën

Denisa, e cila kishte mbërritur në Prato tre ditë para zhdukjes, planifikonte të udhëtonte drejt Bolonjës për takime të tjera pune. Por zhdukja e saj e papritur dhe deklaratat e dëshmitarëve, të cilët e kishin parë të shqetësuar atë mbrëmje, alarmuan familjen dhe autoritetet. Nëna e saj raportoi zhdukjen më 17 maj.

Ky rast ka ngritur sërish alarmin për rrezikun dhe dhunën që shoqërojnë gratë në rrugën e prostitucionit, si dhe për nevojën për mbrojtje dhe ndërhyrje institucionale më të forta.

Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]