fbpx

Parashikimi i motit për vikend dhe dy ditët e para të javës

nga Revista Kosovarja

Sot në Kosovë pritet të mbajë mot i ngrohtë, me intervale kohore me diell dhe vranësira të herëpashershme. Erërat do të fillojnë të fryjnë nga jugperëndimi të cilat do të ndikojnë në rritjen e temperaturave. Pasdite vonë në rajonet afër Malit të Zi mund të ketë ndonjë rigë ose rrebesh shiu.

Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës sot pritet të mbajë mot i ngrohtë, me alternime mes intervaleve të gjata kohore me diell dhe vranësirave të herëpashershme. Në Mal të Zi pasdite priten rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Të dielën na pret mot i ngrohtë dhe me zagushi. Paradite kryesisht me diell dhe vranësira kalimtare në tërë rajonin, ndërsa pasdite në Kosovë priten zhvillim të fuqishme të vranësirave vertikale të cilat pritet të sjellin rrebeshe lokale shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër. Në jug dhe jugperëndim të Kosovës nuk parashihen reshje.

Rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë të dielën pasdite priten edhe në Luginën e Preshevës, disa vise në Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi, ndërsa në Shqipëri nxehtë dhe pa reshje deri në orët e natës ku priten zhvillime lokale.

Të hënën na pret mot mjaft i paqëndrueshëm, me intervale kohore me diell dhe zhvillime të fuqishme të vranësirave të cilat pritet të sjellin reshje shiu dhe rrebeshe lokale shiu me vetëtima, bubullimë dhe lokalisht edhe breshër. Vende-vende priten reshje apo rrebeshe të fuqishme shiu. Më së paku reshje priten në bregdet dhe perëndim të Shqipërisë.

Nga e marta na presin alternime mes vranësirave dhe intervaleve kohore me diell. Mund të ketë edhe ndonjë rigë ose rrebesh shiu. Rrebeshe të fuqishme shiu pasditeve priten në qendër dhe jug të Shqipërisë dhe disa rajone të Maqedonisë së Veriut./Meteoballkan

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]