“Pepper spray”, i cili, sipas Ligjit për Armët, konsiderohet armë, po tregtohet pa kontrollin e askujt në Kosovë.
Ani pse shitblerja e paautorizuar e tij është e ndaluar dhe e dënueshme me ligj, faqja në Facebook “Military Shop” po bën shitjen ‘online’ të këtij produkti.
Për të verifikuar zhvillimin e tregtisë me sprej KIKS Kosova ka porositur këtë produkt, që kushtonte 20 euro.
“Mjafton një emër, një mbiemër dhe adresa, asgjë më shumë”, i kanë thënë KIKS-it nga faqja ‘online’.
Me një emër dhe adresë fiktive, porosia u bë dhe produkti arriti nga Shqipëria, pas dy javësh.
Krejtësisht e painformuar se çfarë po transportonte ishte edhe posta.
Për të kuptuar mënyrën se si kjo armë iu shmang kontrollit doganor, KIKS Kosova ka kontaktuar me Doganën e Kosovës.
Nga ky institucion thanë që arsyeja pse këto kontrabandime po ndodhin është marrëveshja për tregti të lirë mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Kjo marrëveshjeje vendosi për heqjen e kontrolleve kufitare, me qëllim që të lehtësojë transportin mes këtyre dy shteteve.
Mirëpo, kjo marrëveshje u bë lehtësim edhe për kontrabandistët, të cilët transportet e tyre ilegale po i kryejnë pa probleme, me automjete private.
Jashtë kontrollit të institucioneve gjegjëse shpeshherë mbeten edhe tregjet me shumicë.
Në tregun me shumicë në Zonën Industriale në Prishtinë lehtë dhe kushdo mund të blejë armë të ftohta, si thikat.
Një prej tyre ekipi i KIKS-it ka arritur ta blinte lehtësisht, madje edhe çmimi është i vogël dhe i përballueshëm edhe për adoleshentët.
KIKS-i një thikë e bleu për vetëm 7 euro.
Këto mjete konsiderohen armë të ftohta dhe shitblerja pa autorizim e tyre dënohet me ligj.
Madje gjykatat kanë dhënë dënime për përdorim të paautorizuar të këtyre armëve, konkretisht sprejëve dhe gazit lotsjellës edhe për ligjvënësit e Kosovës.