Dita e shtunë ishte e kobshme për disa familje në vendin tonë, që humbën tragjikisht më të dashurit e tyre. Në rrugët e tri qyteteve, Graçanicë, Podujevë e Pejë në pesë orë, mbetën pesë persona të vdekur, të cilët humbën jetën si pasojë e aksidentit në trafik. Në Graçanicë viktima ishte pasagjere, në Podujevë viktimat u vetaksidentuan, e në Pejë viktimat ishin këmbësorë.
Viktima e parë e ditës së djeshme, u shënua në qytetin e Graçanicës, aksident i ndodhur saktësisht në Llapnasellë. Siç mësoi Sinjali nga burimet e veta, viktima është Vidosava Petroviq, e cila ishte pasagjere në njërën prej veturave të përfshira në këtë aksident.
Vetëm pak orë pas këtij aksidenti të rëndë, u shënua edhe një tjetër aksident, i cili kishte jo një, por dy viktima. Fatkeqësia e radhës ndodhi në fshatin Sfeqël të Podujevës, ku si pasojë e një vetaksidenti të rëndë, mbetën të vdekur dy persona, teksa u lëndua rëndë një tjetër.
Shoferi i veturës dhe njëri prej pasagjerëve, Ultrim Mehmeti dhe Qëndrim Boshnjaku, nuk arritën t’i përballojnë plagët dhe ndërruan jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa pasagjeri tjetër u dërgua me urgjencë në spital.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha se vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor që doli në vendin e ngjarjes.
“Sot rreth orës 20:30 në rrugën që lidhë fshatin Sfeqël me fshatin Shajkovc të Podujevës, ka ndodhur një aksident trafiku, ku është përfshirë një veturë. Si pasojë e aksidentit tre persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Dy nga personat e lënduar nuk kanë arrit të përballojnë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe të njëjtit kanë vdekur. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Me hetimin për zbardhjen e shkaqeve të këtij vetaksidenti, po merren hetuesit nga Njësiti i trafikut”, tha Ahmeti.
Bilancit tragjik me tri viktima në më pak se katër orë, iu shtua edhe një tjetër aksident i rëndë, i cili po ashtu la të vdekur dy të tjerë, në fshatin Ozdrim të Pejës.
Sinjali raportoi se dy viktimat e këtij aksidenti janë këmbësorët A.Shala dhe F.Shala, të cilët nuk arritën t’i përballojnë plagët e rënda dhe vdiqën në vendin e ngjarjes, teksa personi i lënduar tashmë po trajtohet në QKUK.
Rastin e ka konfirmuar mbrëmë për Sinjalin edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Driton Rugova, i cili tha se shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin është shoqëruar në stacion policor.
“Rreth orës 21:30 Policia është informuar për një aksident trafiku në fshatin Ozdrim të Pejës. Në aksident kanë qenë të involvuara një veturë dhe tre këmbësorë, dy prej të cilëve kanë rezultuar me fatalitet. Vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ndërsa i lënduari është dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës. Personi që dyshohet se ka shkaktuar aksidentin është shoqëruar në stacion policor”, tha Driton Rugova.
Nga Policia e Kosovës për vite me radhë bëhet thirrje që shoferët të zbatojnë rregullat e komunikacionit, në mënyrë që të parandalohen sa më shumë aksidentet me fatalitet, si dhe ato me dëme materiale. Teksa, Sinjali po ashtu vazhdon raportimin edhe të aksidenteve rrugove, me shkas të të ngirtet sado pak vedisimi dhe ndërgjegjia e shoferëve.
“Vozit me kujdes, dikush të pret në shtëpi”, është njëra nga kampanjat vedisuese për shoferët në Kosovë, e cila me t’u publikuar, bëri jehonë shkaku i mesazhit të fortë që ka. Bëri jehonë, por fatkeqësisht nuk po ka edhe shumë produktivitet, pasi pothuajse çdo ditë në Kosovë shënohet të paktën një aksident.