Pas ngjarjeve tronditëse në javën e parë të gushtit, ku tre persona mbetën të vrarë nga të shtëna me armë zjarri, e dhjetëra të tjerë u plagosën, Policia ka hartuar dhe ka filluar së zbatuari planin operativ ‘Goditja’. Kjo u bë me qëllim të shtimit të masave të sigurisë dhe operacioni do të shtrihet në gjithë vendin.
Në kuadër të këtij plani operativ, gjatë mbrëmjes së shkuar janë kryer disa bastisje në qytetin e Prizrenit, ku cak kanë qenë lokalet e natës.
Togeri i Policisë së Kosovës në Prizren, Shaqir Bytyqi, bëri me dije për Gazetën Sinjali se gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar një thikë dhe disa shkopinj druri.
Sipas Bytyqit, një person është dërguar në mbajtje.
“Gjatë natës së mbrèmshme ,me date 10 dhe 11 Gusht 2023, në kuadër të Planit Operativë “Goditja” janë bastisë disa lokale të natës , gjatë bastisjes janë gjatë 1 thikë dhe disa shkopinjë druri, gjithashtu në një gazmend familjar është gjetë dhe sekustruar një armë-pistoletē. Janë hapë rastet konkrete dhe së paku një person është ndaluar për 48 orë”, tha ai.
Pos armëve ilegale, Bytyqi njoftoi se në tri lokacione janë gjetur sasi të substancave të dyshuara narkotike.
“Në tre lokacione janë gjetë sasi të vogla të substancave të dyshuara si narkotikë. Janë hap rastet dhe procedohen me procedurë të rregullt”, tha togeri Bytyqi për Sinjalin.
Ndryshe sipas njoftimit të Policisë, detyrat që parashihen të realizohen gjatë zbatimit të planit operativ ‘Goditja’, janë shtimi i aktiviteteve/patrullimeve policore, kryesisht në qendra urbane, në ato pjesë ku ka më shumë lokale, kafene, bare nate, e më shumë qytetarë që vizitojnë ato.
Mes tjerash, u tha se do të shtohen kontrollet policore ndaj personave e automjeteve me qëllim të gjetjes dhe konfiskimit të gjërave të ndaluara me theks të veçantë armëve dhe mjetet tjera të rrezikshme për jetën.
Kujtojmë se brenda gjashtë ditësh ndodhën tri vrasje të rënda në lokale të ndryshme në Prishtinë, Klinë dhe në Runik të Skenderajt.