Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë rreth aksidentit në Malishevë ku humbi jetën zyrtari i Nismës Socialdemokrate, Albert Krasniqi.
Policia bën të ditur se deri te aksidenti ka ardhur për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë dhe si pasojë vetura është përplasur me një shtyllë dhe më pas Albert Krasniqi i cili ka qenë njëri nga pasagjerët ka vdekur.
“Ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet, në të cilin kishte qenë e përfshirë një veturë me traga vendore. Dyshohet se i dyshuari mashkull kosovar derisa kishte qenë duke drejtuar automjetin si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë me gjendjen e rrugës kishte humbur kontrollin mbi automjet ku si pasojë është goditur me një shtyllë. Si pasojë e aksidentit, lëndime trupore kishte pësuar drejtuesi i automjetit dhe dy pasagjerët meshkuj kosovarë. Të lënduarit kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa njëri nga pasagjerët ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.
Policia tregon se vozitësi pas trajtimit mjekësor që ka marrë është arrestuar.
“Drejtuesi i automjetit pas tretmanit mjekësor me vendim të prokurorit është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.