Virusi i familjes së koronaviruseve Covid 19-të, ka ardh prej tre javësh edhe në Kosovë, duke prekur më shumë se 100 persona dhe duke shkaktuar mjaftë panikë.
Ndonëse privatësia e pacientëve është e garantuar dhe mbrohet me ligj, një nga të prekurit me këtë virus pandemik, ka dashur që të mos mbetet vetëm shifër, por të zbulohet dhe të flasë rreth përballjes së tij me koronavirusin e ri Covid 19-të.
Petrit Bylykbashi nga Prishtina, për publikun i njohur edhe si ish pjesmarrës në “Big Brother Albania”, ka treguar se ai po e përballon mirë krejt këtë situatë dhe se rreziku më i madh në këtë mes, është frika.
“E kanë bërë shumë të madhe. Për mua, është si një grip i lehtë, biles as paracetamol nuk kam pas nevoj për të marrë. Po e kaloj me një vitaminë C. Unë, kam pas probleme të mëhershme shëndetësore, por pavarësisht kësaj, ky virus nuk më ka goditur edhe aq”, ka thënë Bylykbashi.
I prekuri me koronavirus, ka treguar se ai nuk ka qëndruar në spital, duke preferuar vetizolimin në shtëpi. “Po qëndroj në shtëpi në kushte izolimi dhe nuk po më mungojnë njerëzit, pasi gjithë ditën po flas me telefon e kamerë. Kam pasur shumë telefonata nga persona të frikësuar, por unë frikën nuk mund t’ia heq askujt. As për ushqim nuk jam keq, pasi po kujdesen të afërmit e mi. E, dreka më vjen nga spitali”.
Petriti, që duket se e ka marrë me sportivitet infektimin, ka thënë se gëzon kujdes të jahstëzakonshëm nga mjekët, të cilët janë interesuar gjatë gjithë kohës për gjendjen e tij shëndetësore.
Ai, po shpreson që së shpejti ti bëhen testet që zbulojnë nëse është shëruar.
“Së shpejti do të më bëhen dy testet dhe uroj që të dal negativ. Nëse dal negativ, duhet të qëndroj edhe disa ditë në shtëpi, ta pastroj me dorën time dhe më pas të vijnë për dezinfektim, në mënyrë që shtëpia të mos jetë vatër e infeksionit”, ka thënë Bylykbashi për “Radio Vala Rinore”.