fbpx

Pse nuk këshillohet të humbisni peshë gjatë shtatzënisë

nga Revista Kosovarja

Shtimi në peshë gjatë muajve të pritjes së ëmbël mund të jetë diçka e vështirë për t’u pranuar për shumë gra, pavarësisht se është diçka normale

Mesatarisht, shumica e tyre shtojnë nga 10 deri në 13 kilogramë gjatë shtatzënisë, sipas NHS (National Health Service).

Por, në mesin e nënave të ardhshme ka dhe nga ato që tentojnë të humbasin peshë gjatë kësaj periudhe, diçka që nuk këshillohet. Në fakt, humbja e qëllimshme e peshës duke mbajtur dietë ose duke u ushtruar në palestër mund të jetë e rrezikshme, si për nënën, ashtu edhe për foshnjën.

Kate Hilton, një dietologe klinike thotë se:

“Për shumicën e shtatzënive, fokusi duhet të jetë në mbajtjen e një diete të shëndetshme të ekuilibruar për të mbështetur rritjen dhe zhvillimin e foshnjës. Ka shumë rreziqe nëse ju përpiqeni të humbni peshë gjatë shtatzënisë, pasi kështu rriten shanset për të lindur një fëmijë me peshë të ulët. Kufizimi i marrjes së kalorive, gjithashtu, mund të çojë në pamjaftueshmërinë e lëndëve ushqyese si acidi folik, hekuri, kalciumi dhe proteinat, të cilat janë të nevojshme për zhvillimin e fetusit”.

Mund të jetë sfiduese mendërisht, emocionalisht dhe fizikisht të pranosh trupin tënd të ri, por ekspertët thonë se nuk duhet tentuar humbja e peshës gjatë kësaj periudhe.

Hilton shtoi: “Përpjekja për të humbur peshë gjatë shtatzënisë nuk këshillohet sepse mund të mos e lejoni fëmijën tuaj të marrë lëndët ushqyese që i nevojiten për t’u rritur dhe zhvilluar. Të jesh shtatzënë nuk është koha për të mbajtur dietë, për të kufizuar kaloritë apo për të arritur qëllime personale. Kjo është një kohë për të ushqyer trupin tuaj dhe atë të foshnjës në rritje”.

Gjatë shtatzënisë këshillohet të përqendroheni në ushqime më të shëndetshme, si perimet, proteinat, karbohidratet e plota dhe sa më pak ushqime të përpunuara. Është mirë të monitoroni peshën tuaj dhe të rregulloni zakonet e të ngrënit gjatë nëntë muajve.


Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]