fbpx

Pse s’po mund të bëhem rahat me burra?

nga Revista Kosovarja

Dy burra i ndërrova dhe rahat me asnjërin s’u bëra. E, a do të kem fat në martesë ndonjëherë, një Zot e di…

35 vjet i mbusha mu në ramazanin e sivjetmë. Herën e parë u fejova dhe u martova kur isha 18 vjeçe me djalin e shoqes së mamit, sepse asaj i pëlqente shumë.

Ajo e donte atë djalë më shumë nga shoqërimi që kishte me shoqen e saj, por edhe pse ishte jetim, pa baba.

Dhe, si e re, me u martua me dikë duhej, andaj ia bëra qejfin mamit. U fejuam në shpejtësi, u martuam në shtatorin e atij viti.

Pas tre muajsh mbeta shtatzënë, por dështova në muajin e dytë dhe mirë u bë, sepse nuk kisha ndjenja për burrin.

Ai kërkonte intimitet, e unë nuk doja! Ajo dëshironte të shkonim për pushime e unë nuk doja!

Dhe, kështu, i kaluam 5 vjet si 500! Të gjata më dukeshin ditët me të e lëre më muajt a vjetët…

Por, kur ai e pa se unë nuk e doja, më la dhe shkoi në kurbet…

Dashuri nëpërmjet “Facebokut”
Sidoqoftë, si vejushë dilja dhe nuk e kisha gajle nëse kush bënte me gisht kah unë, nëse kush më fishkëllente, nëse kush më ftonte në kafe…

Pas një viti në FB u njoha me një burrë, i cili edhe ai ishte ndarë nga gruaja. Jetonte në Zvicër.

Në fillim çdo gjë ishte hajgare, por me kohë gjërat filluan të bëheshin më serioze dhe ai erdhi në Kosovë që të takoheshim, që ta kurorëzonim dashurinë tonë…

Dhe, kur erdhi, çka me pa: krejt trupin e kishte me tato. Në ato çaste fillova ta urreja dhe i thashë shqip: “S’du me pas punë me ty!”.

Por, më rroku për krahu, më shtrëngoi fort dhe më tha: “Kam ardhur nga Zvicra për ty dhe s’të lëshoj dot!”.

Andaj, u solla e u pështolla dhe pranova të jem me të.

Pas një jave u fejuam dhe u martuam dy javë më vonë.

Nuk zgjati shumë dhe më mori me vete në Zvicër. E, kur shkova atje – çka me pa? Ishte një gilipter dhe gjë pas shpirtit nuk kishte.

Të nesërmen e luta të më linte të lirë, të kthehesh në Kosovë.

Dhe, kur pa se këmbëngula të kthehesha, më tha: “Shko! S’je tu më pëlqye fare!”.

E, kur u ktheva në Kosovë, nëna u mërzit shumë që as këtë herë nuk pata fat…

E, a do të kem fat në martesë ndonjëherë, një Zot e di…

Velina, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]