Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se bartja e maskës nuk është obligative nëse jeni duke ecur vetëm në rrugë ose nëse jeni vetëm në veturë.
Qalaj tha se maska duhet të bartet në rastet kur jeni me dikë tjetër pasi që konsiderohet grup.
“Në instruksionet e fundit tashmë edhe kur je duke ecur vetëm në rrugë nuk ka nevojë ta kesh makën, e as në veturë, por në momentin që je me një tjetër konsiderohet grup dhe duhet ta kesh maskën”, ka thënë Qalaj në ktv.
Në udhëzuesin që kanë dërguar Ministria e Shëndetësisë menjëherë pasi i pari u publikua, më 25 shtator, doli një version tjetër i udhëzuesit, ku u hoq pika ku thuhet se “Gjatë ecjes në rrugë kur jeni vetëm” mund të mos bartet maska.
Për të sqaruar këtë, Gazeta Express kishte kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë të cilët nuk kanë pohuar e as mohuar ndryshimet që janë bërë në Udhëzuesin e publikuar.
“Në linkun më poshtë gjeni Udhëzuesin që është miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe i cili është zyrtar.
Tjetër udhëzim nuk ka zyrtar te miratuar”, thuhet në përgjigjen me shkrim të ministrisë.