Opinioni sportivë është i tronditur me lajmin se Xhevdet Peci merr vetëm 90 euro pension. Jo vetëm dashamirët e sportit, por kush do që ka dëgjuar është i habitur, se si është e mundur një emër i madh sportiv të trajtohet kësisoj në shtetin e Kosovës.
Peci apo babai i boksit, ia solli pesë tituj Prishtinës në ligën më të fortë në botë në atëkohë, në ish Jugosllavi (në vitet e 70-ta dhe të 80-ta), ndërsa sot nuk gëzon më shumë se 90 euro pension, nuk e ka kategorinë e sportistit të merituar!
Në shkrimin djeshëm të gazetës kombëtare “Bota sot”: “E turpshme, babai i boksit në Kosovë jeton me 90 euro pension, që dikur dridhte një ish Jugosllavi dhe Evropë”!, kjo ka inatosur sportistët dhe ka pasur reagime shumë të ashpra.
Ish boksieri i mirënjohur dhe i gjeneratës së artë të Prishtinës, Enver Haradinaj, ka komentuar kësisoj: “O Xhevdeti ka mirënjohje sa të duash po çka të mirë prej tyre kur nuk ka lek me jetu, dinjitetshëm. Nuk di se a u vjen turp institucioneve tona për këtë që e kanë ba. Turp u qoftë, një sportist që ka lanë nam për sport e sot 90 €. Ata të cilët e njohin Xhevdetin e din se çfarë gëzimi na ka sjellë me vite, po kot për këta qe na udhëheqin. Edhe një here turp u qoftë atyre që i udhëheqin institucionet”.
Trajneri i boksit gjilanasi dhe anëtari i Bordit të Federatës së Boksit të Kosovës, Musli Zymberi, është i tronditur. Ai ka reaguar ashpër: “Është shumë e pakuptimtë, nëntëdhjetë euro në muaj (3 euro në ditë), edhe për fëmijë janë të pakta, e mos të flasim për persona që janë në moshën e tretë, siç është Xhevdeti. Kur kësaj ia shtojmë karrierën sportive që e ka pas, dhe sukseset, nuk mundemi të thojmë gjë tjetër përveç TURP, TURP!”. Veprimtari i hendbollit, Hasan Shala, ka përdorur gjuhën më të ashpër të mundshme, ku ka shkruar mes të tjera: “E turpshme po se po! Historia i mbuloftë me turp brez pas brezi”!
Mehdi Mehmeti, drejtori i klubit të volejbollit Prishtina, është i tmerruar, duke komentuar: “More këtu në këtë shtetin tonë, vetëm për politikanët dhe familjet është kjo jetë me të gjitha të mirat.
Sportistët me nam dhe punëtorët e sportit si mi pas ba mag…. O të mjere edhe neve na kane bë nënat shqiptare. Turp…”.
Sportisti i Shekullit, ish boksieri i madh Aziz Salihu, tha: “Marre bre, turp i madh, 90 euro për emrin e madh të boksit, turp”. Ish gjyqtari i mirënjohur i futbollit, Nysret Prekazi, ka thënë: “Turp, ky meriton shumë, baba i babave ka dhënë gjithçka, kontributi i tij për Kosovë dihet, turp! Kësi sportisti t’i japin 90 euro në muaj, turp, turp”. Legjenda e hendbollit, Sefedin Reçica, është i shokuar, duke komentuar:
“Turp i madh të lihet një njeri si Xhevda me këtë pension”. Ish futbollisti i mirënjohur dhe trajneri më i trofeshëm, Afrim Tovërlani, është i habitur: “Turp, turp, turp”.
Mërgim Shala, ish boksieri i mirënjohur i gjeneratës së artë të Prishtinës, çuditet: “Një ndër sportistët me të mëdhenj 90 euro, e deputetët 1300 euro në Kosovë”. Fejzullah Ademi, ish kryetar i Federatës Volejbollit të Kosovës, njeriu me bagazh të madh sportivë, është i tronditur me këtë rast, duke shkruar: Turpi s’la brina”. Ish gjyqtari i futbollit Ijaz Spahiu e ka quajtur turp, ndërsa ish futbollisti i mirënjohur Xhevat Kurti, ka komentuar shkurt: “Turp”! Ish futbollisti Skënder Bunjaku, ka shkruar: “Ka shume sportistë qe jetoj e me 90 euro nuk është veç Xhevdeti, kjo është turp për një shtet, respekt për Xhevdën”.