Kimete Haxhimurati-Gashi, pronare e “Tiara Fashion” në Prizren dhe Rahovec, është zonja duar artë, gruaja punëtore dhe e pa ndashme, që ja ka dalë ti kthejë fuqishëm në modë veshjet tradicional, duke ju shtuar atyre edhe detaje bashkëkohore e moderne.
Klientela e “Tiara Fashion” është e gjerë, nga e gjithë Kosova e Diaspora. Emra yjesh si ai i Shkurte Fejzes, Gresa Behlulit, Violetë Kukaj, Shqipe Abazi, Ryva Kajtazi,Vjollca Buqaj, Ganimete Jashanica, Mihrije Prapashtica, Violetë Kajtazi, Miranda Hashani, Vjollca Haxhiu, Lindita Kryeziu, Ylmize Tafallari, e shumë e shumë këngëtare të tjera zgjedhin që në përformancat e tyre të shkëlqejnë me kreacionet e rralla të zonjës Kimete dhe stafit të saj profesional. Në këtë intervistë dhënë “Kosovares”, Kimete Haxhimurati-Gashi flet për pasionin e saj për punën, për unikalitetin e kreacioneve, estradën dhe jetën që bënë.
-Zonja Kimete, si po ecën puna në “Tiara Fashion”?
Çdo punë që bëhet me përkushtim dhe dashuri, ecën mirë. Në “Tiara Fashion” punohet me pasion, dashuri dhe profesionalizëm, andaj edhe suksesi nuk mungon.
-Po shohim edhe më tej shumë yje të skenës që vishen nga ju. Kush janë emrat që e frekuentojnë “Tiara Fashion”?
Vërtet janë shumë, thuajse e gjithë estrada. Jam me fat që kam bashkëpunim me to. I falënderoj me gjithë zemër që zgjedhin të vishen nga “Tiara fashion”.
-A punohet çdo gjë me dorë?
Po, tek ne çdo gjë punohet me dorë dhe është unike. Kjo na dallon dhe besoj na bënë të veçantë në treg.
-A po mirëpritet ndërthurja mes elementeve tradicionale dhe atyre moderne?
Fatmirësisht, po. Ndërthurja e tradicionales dhe modernes është kërkesë e vajzave të reja, që të duken sa më të veçanta, por pa i ikur asnjëherë autoktones dhe normalisht pa e bastarduar tradicionalen, që e kemi aq të bukur dhe speciale.
-Ju tashmë keni edhe një koleksion të ri të veshjeve tradicionale. Nga çka karakterizohet, cili është elementi më i përdorur?
Të gjitha veshjet janë të dizenjuara dhe punuara sipas traditës tonë, me elemente si ari, veki e pëlhurë. Gjithçka e punuar nga ne, ekskluzivisht për klientët e shumta të “Tiara Fashion”.
-Ju e ruani fuqishëm traditën e veshjeve tradicionale, po a keni menduar që punën tuaj ta shfaqni në ndonjë sfilatë qe do të jetë vetëm e juaja?
Është planifikuar diçka e tillë, por nuk po jap data të sakta. Gjithsesi, do të jeni edhe ju prezent. Po punojmë në këtë drejtim, që të jetë diçka shumë madhështore.
-A ju lodh puna, apo merrni vetëm kënaqësi?
Ku ka punë, ka edhe lodhje. Ama, duhet të kryesoj vullneti dhe kënaqësia. Tek ne ekziston gjithmonë motivi që na bënë të mos ndalemi dhe ta bëjmë më të mirën.
-Ndërkohë, jeni edhe grua familjare…
Po, jam edhe një grua shumë familjare, një bashkëshorte, nënë e gjyshe e tri mbesave dhe një nipi. Jam e bekuar që jam e rrethuar me gjëra të mëdha e te mrekullueshme në jetën time, siç janë familja, miqtë, suksesi. Gjithmonë me Zotin pranë. Krejt këto kanë më tepër rëndësi sesa privilegjet e pasuria.
-Ku mund t’iu gjejnë?
Jemi në Prizren, në rrugën Adëm Jashari”, por edhe në Rahovec.
-Porosia juaj për vajzat, nuset, femrat në përgjithësi?
Duajeni vetën, duajeni traditën dhe respektojeni identitetin tonë. Është mirë që secila vajzë të ketë së paku një veshje punëdore tradicionale në sirtarin e saj, edhe për brezat e ardhshëm.
Drenushë Neziri