Të gjithë e dimë se edhe gjumi ka ciklet e tij. Nëse flemë shumë është po aq e dëmshme sa të flemë pak. Si pasojë, më e mira do të ishte nëse llogarisim një orar të saktë të gjumit dhe të zgjimit në mëngjes.
“Bright Side” shkruan se ne e kalojmë një të tretën e jetës sonë duke fjetur, ose duke u përpjekur që të biem në gjumë. Nga ana tjetër, statistikat thonë se një në tre persona të rritur, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk fle mjaftueshëm.
Si pasojë ata janë shumë njerëz të lodhur! Koha kur jemi në ëndërr është thelbësore për trurin tonë, i cili rimbush shëndetin, madje edhe bukurinë tonë. Ky problem do të zgjidhej lehtë nëse thjesht do të shkonim për të fjetur në një kohë të caktuar.
Filloni me zgjedhjen se kur do të zgjoheni.
Për të ditur se cili është orari më i mirë i gjumit për ju, duhet të vendosni kohën kur dëshironi të zgjoheni. Është e rëndësishme të mbani në mend se nëse doni të zgjoheni të freskët dhe të relaksuar, duhet të vendosni një alarm për të njëjtën kohë, 7 ditë në javë.
Llogarisni sa kohë ju duhet për gjumë.
Sasia e gjumit të nevojshëm ndryshon gjatë gjithë jetës sonë. Kur ishim fëmijë, duhet të flinim deri në 14 orë, por në moshën 20-40 vjeç, na duhen vetëm rreth 7 deri në 9 orë gjumë. Mendoni sa gjumë bëni zakonisht dhe ‘dëgjoni’ trupin tuaj për të kuptuar se cila është sasia perfekte për ju.
Përcaktoni se në cilën orë duhet të flini.
Pasi të dini se në cilën orë do të zgjoheni dhe sa orë gjumë ju nevojiten, do të keni formulën perfekte se kur të shkoni në shtrat. Nëse i përmbaheni këtij orari, trupi juaj natyrisht do të ndjehet i përgjumur në kohën e nevojshme dhe do të jeni në gjendje të zgjoheni lehtë.
Më herët nuk është domosdoshmërisht më mirë.
Shpesh, besohet se njerëzit duhet të flenë rreth orës 22:00 për të bërë një gjumë me cilësi më të mirë. Por kërkimet e fundit nga Harvard e kanë hedhur poshtë këtë ide. Shkencëtarët thonë se edhe bufët e natës ishin në gjendje të performonin mirë gjatë ditës, për sa kohë që kishin orare të rregullta të gjumit. Pra, nëse shkoni në shtrat në 3 të mëngjesit dhe zgjoheni në 10 të mëngjesit, është mirë, për sa kohë që bëni vazhdimisht të njëjtën gjë.
Mbajtja e një orari të qëndrueshëm të gjumit është çelësi.
Gjëja më e mirë që mund të bëni për të përmirësuar cilësinë e gjumit është të shkoni në shtrat në të njëjtën kohë çdo ditë. Jo vetëm që do ta bëjë më të lehtë për të fjetur, por gjithashtu do t’ju bëjë më të zgjuar dhe më të lumtur. Nga ana tjetër, mos fjetja e mjaftueshme gjatë ditëve të javës dhe fjetja shtesë gjatë fundjavave çon në diabet, mbipeshë dhe shëndet të dobët kardiovaskular.
Të shkosh në shtrat vonë kërkon higjienë shtesë të gjumit.
Është akoma e rëndësishme të kujdeseni për higjienën tuaj të gjumit, si të mos shikoni një film emocionues para gjumit, të mos flini të uritur ose të mos flini brenda një mjedisi të ndritshëm, të zhurmshëm. Të kujdesesh për gjëra të thjeshta, si të mos përdorni telefonin dhe përdorimi i perdeve të errësimit, gjithashtu mund të përmirësojë në mënyrë drastike mënyrën se si dukesh pasi zgjohesh.