Shtetet e Bashkuara të Amerikës i qëndrojnë pas të gjitha qëndrimeve të dhëna në deklaratën e Ned Price, zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit.
Kështu janë shprehur jo-zyrtarisht ambasada e SHBA-së në Kosovë ekskluzivisht për Lajmi.net, duke thënë se nuk kanë gjë tjetër për të shtuar.
“Asgjë më shumë për të shtuar – deklarata jonë ende qëndron, edhe pas njoftimit të Kosovës”, deklarojnë nga kjo ambasadë.
Pak pas vendimit të ri të qeverisë për targat, nëpërmjet një komunikate nga Departamenti amerikan i Shtetit, është deklaruar se SHBA-të janë të zhgënjyer dhe të shqetësuar që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat e bëra nga partnerët ndërkombëtarë për shtyrjen e afatit të targave.
“Shtetet e Bashkuara, krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, i kërkojnë qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të regjimit të ri të targave. Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, u tha në komunikatën e DASH-it.
“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibile për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke”, u tha në komunikatën e lëshuar nga Price.
Vendimi që ka marrë Qeveria është me tri faza, ku në fazën e parë që pritet të zgjasë nga 21 nëntori deri më 21 janar, do të jetë qortuese. Ndërkaq, nga 21 janari deri më 21 prill qytetarët serbë që nuk konvertojnë targat do të gjobiten me nga 150 euro. Që nga 21 prilli, synohen të largohen totalisht targat ilegale dhe të qarkullojnë vetëm veturat me targat RKS.
Departamenti Amerikan i Shtetit, kërkoi një ditë më parë kërkoi që vendimi për targa të shtyhet pa konfiskim e pa gjoba.
Kështu njoftoi mbrëmë Derek Chollet, Këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit, i cili përmes një postimi në Twitter, ndër tjerash ka njoftuar se ka biseduar me Kurtin edhe për rëndësinë e shmangies së tensioneve.
“Bisedova sot me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për të diskutuar rëndësinë e shmangies së tensioneve dhe shtyrjes së zbatimit të rregullave të reja të targave, pa konfiskim apo gjoba. Gjithashtu diskutuam për partneritetin tonë dhe synimet e përbashkëta për avancimin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Kosovës”, ka deklaruar Chollet.
Kërkesa që afati për targa të shtyhet ka qenë e vetë Sekretarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Kështu, të paktën është deklaruar Zëvendës Ndihmës Sekretari i DASH-it, Gabriel Escobar, njëherësh edhe emisar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.
“Biseda jonë për këtë është ende në një fazë të ndjeshme. Shpresoj shumë që do të zgjasin afatin, shpresoj se do të pranojnë kërkesën e vendeve të QUNT-it dhe kërkesën personale të Sekretarit të Shtetit për ta shtyrë atë për ta bërë zbatimin më pak kaotik dhe për të krijuar kushtet për zbatimin e duhur”, pati deklaruar ai.
Kësaj kërkese iu pati përgjigjur negativisht Qeveria e Kosovës fillimisht, duke thënë se kanë synim për ruajtjen e Kushtetutës dhe sundimin e ligjit.