Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se java e ardhshme parashihet të jetë me kushte të qëndrueshme meteorologjike, me mot kryesisht të kthjellët dhe me diell. Përjashtim bën dita e premte, kur pritet të ketë mot me diell dhe vranësira të dendura, të cilat në pjesën e dytë të ditës mund të sjellin stuhi lokale, kryesisht në disa zona të izoluara.
Të hënën moti do të jetë kryesisht me diell. Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet 10 dhe 12°C, ndërsa ato maksimale do të lëvizin nga 27 deri në 31°C. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtime të ndryshme.
Të martën moti do të jetë me diell gjatë gjithë ditës. Temperaturat minimale do të sillen ndërmjet 10 dhe 14°C, kurse ato maksimale pritet të arrijnë nga 28 deri në 32°C. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-3 m/s.
Ndërkaq të mërkurën, moti parashihet me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të jenë nga 13 deri në 18°C, ndërsa maksimalet do të lëvizin ndërmjet 28 dhe 33°C. Do të fryjë erë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-2 m/s.
Të enjten, moti do të jetë me diell dhe vranësira të pakta, kryesisht mbi relievin malor. Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet 12 dhe 18°C, kurse maksimalet do të arrijnë nga 31 deri në 35°C. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga verilindja.
Ndërkohë të premten moti do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara. Në pjesën e dytë të ditës, vranësirat pritet të shtohen dhe në disa zona mund të krijojnë kushte për stuhi afatshkurtra. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12 dhe 18°C, ndërsa maksimalet nga 30 deri në 34°C. Do të fryjë erë e lehtë dhe lokalisht e fortë, nga veriperëndimi dhe verilindja.