fbpx

Ukraina: Rusia kreu sulmin më të madh ajror prej nisjes së luftës

nga Revista Kosovarja

Rusia ka kryer sulmin më të madh ajror kundër Ukrainës përgjatë natës, ka thënë një zyrtar ukrainas të dielën, transmeton agjencia e lajmeve Associated Press.

Për sulmet raportohet teksa përshkallëzohet fushata e bombardimeve ruse kundër Ukrainës, çka i shuan edhe më tepër shpresat për dhënie fund të luftës trevjeçare.

Rusia i ka nisur 537 armë ajrore kundër Ukrainës, përfshirë 477 dronë dhe 60 raketa, ka thënë forca ajrore ukrainase. Prej tyre, 249 janë rrëzuar.

Yuriy Ihnat, shef i komunikimeve në forcën ajrore ukrainase ka thënë se sulmet e natës së mbrëmshme kanë qenë “më masivet” në Ukrainë, duke marrë parasysh se janë nisur dronë dhe disa lloje raketash.

Në sulme janë shënjestruar rajone të ndryshme, përfshirë ato në perëndim të Ukrainës, shumë larg prej vijës së frontit.

Forca ajrore polake ka thënë të dielën se Polonia dhe vendet aleate kanë ngritur në ajër avionë për të garantuar sigurinë e hapësirë ajrore të shtetit.

Guvernatori rajonal i Hersonit, Oleksandr Prokudin ka thënë se një person ka vdekur si pasojë e sulmit me dronë.

Në rajonin e Lvivit, në perëndim të Ukrainës, një zjarr i madh ka shpërthyer në një qendër industriale në qytetin Drohobiç, si pasojë e një sulmi me dronë, që ka rezultuar me ndërprerje të energjisë në gjithë qytetin.

Sulmet e reja vijnë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, ka përsëritur të premten se Moska është e gatshme për një rund të ri të bisedimeve për paqe në Stamboll.

Megjithatë, lufta nuk tregon shenja të zbehjes, pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare, në krye me Shtetet e Bashkuara, për t’i dhënë fund konfliktit.

Dy rundet e fundit të negociatave në mes të delegacioneve ruse dhe ukrainase në Stamboll, kanë qenë të shpejta dhe pa asnjë progres drejt arritjes së një marrëveshjeje.

Sulmet me dronë me rreze të gjatë kanë qenë kryefjala e luftës, që ka hyrë në vitin e katërt.

Gara në të dyja anët për t’i përsosur dronët dhe për t’i bërë më vdekjeprurës, e ka kthyer konfliktin në zonë testimi të armëve të reja. /REL

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]