Gjatë ditës së djeshme në media është raportuar se kryeministri Albin Kurti paguan qiranë prej 250 euro në shtëpinë në lagjen Tasligje, ndërsa me pronarët e shtëpisë është takuar gjatë udhëtimit të tij të fundit jashtë vendit.
Lidhur me këtë ka reaguar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Kryeziu tha se Kurti paguan 250 euro dhe se banon në shtëpinë e bashkatdhetarëve Blerim dhe Shega Zagragja,e të cilët kanë dashur që Kurtit t’ia mundësojnë të banojë falas në shtëpinë e tyre, por se Kurti nuk ka pranuar.
Sipas Kryeziut kësisoj ata janë dakorduar që qiraja të paguhet siç paguhej tek banesa ku Kurti banoi para se të bëhej kryeministër.
“Kryeministri Kurti paguan qira mujore prej 250 euro. Ai banon në shtëpinë e bashkatdhetarëve Blerim dhe Shega Zagragja që jetojnë në Drammen të Norvegjisë. Kryeministri i njeh ata që prej disa vitesh. Anëtarët e tjerë të familjes Zagragja i ka njoftuar më vonë, pasi që është bërë banor në Taslixhe.
Blerim dhe Shega Zagragja kanë dashur që Kryeministrit Kurti t’ia mundësojnë të banojë falas në shtëpinë e tyre, mirëpo Kurti nuk ka pranuar. Janë marrë vesh që ai ta paguajë qeranë aq sa ka qenë duke e paguar më herët te banesa afër parkut të qytetit.”, tha ai.
Sipas tij, shtëpia në Taslixhe ku banon Kurti nuk i ka 500 metra por 230 metra katrorë.
“Shtëpia në Taslixhe ku banon kryeministri nuk i ka 500 por 230 metra katrorë. Dhe kjo hapsirë nuk është plotësisht e shfrytëzueshme. Dy dhoma janë të papërdorshme, njëra është e bllokuar me gjësendet e pronarit e tjetra është dhomë e sigurisë.Shtëpia është e vjetër rreth 50 vjeç.”, shtoi ai.
Sipas Kryeziut, kryeministri pati vendosur që të ndërrojë vendbanim pas udhëzimeve të këshilltarëve të sigurisë.
“Kryeministri pat vendosur që të ndërrojë vendbanim pas udhëzimeve të këshilltarëve të sigurisë të cilët kanë vlerësuar që mbrojtja e afërt dhe policia e Kosovës kanë shumë vështirësi për përgatitjet dhe organizimin e sigurisë aty ku banonte Kryeministri te parku i qytetit.”, përfundoi ai.