Covid-19 ka ‘paralizuar’ botën si kurrë më parë, janë anuluar fluturime, mësimi në shkolla, shumë vende të punës dhe madje është ndaluar edhe dalja e personave fizik, përveç në oraret e caktuara nga Qeveria.
Një virusi i panjohur e për të cilin ende nuk ka një ilaç apo vaksinë që e shëron, një mister edhe për shkencëtarët dhe mjekësinë botërore, coronavirusi mbetet i panjohur edhe për afatin e tij, se deri kur mund të jemi në këtë situatë, apo deri kur do të jetë ‘mysafirë’ në përditshmërinë tonë.
Me vendim të Qeverisë së Kosovës pas konfirmimit të rasteve të para në vend me Covid-19, me 14 mars u ndërmorën masa parandaluese ndaj pandemisë globale.
Një nga këto vendime ishte edhe mbyllja e kafeterive, bareve, pabeve dhe restorantet, qendrat tregtare me përjashtim të farmacive dhe marketeve ushqimore, ndërsa u pezulluan të gjitha aktivitetet kulturore dhe sportive.
Ndonëse me shpresë që kjo situatë të kalojë sa më shpejt që të jetë e mundur, shtrohet pyetja se a do të ndikojë kjo në organizimin e dasmave dhe ahengjeve familjare.
Stina e verës në vendin tonë karakterizohet pikërisht nga dasmat e shumta në restaurante, me muzikë, me shumë të ftuar, këngëtarë e valle.
Lidhur më këtë dhe se a ka filluar anulimi i dasmave dhe ahengjeve, sa ka ndikuar Covid-19, IndeksOnline ka kontaktuar me disa prej këngëtareve më të kërkuar dhe më të angazhuar gjatë sezonit veror dhe jo vetëm.
Duke qenë njëra nga këngëtaret që prej vitesh argëton më muzikën dhe zërin e saj shumë ahengje e dasma shqiptare, Shyhrete Behluli për Indeksonline konfirmoj se ajo nuk ka ende asnjë datë të anuluar të ndonjë dasme, dhe ajo shpreson që një gjë e tillë nuk do të ndodhë duke besuar se situate deri në muajt e verës do të qetësohet.
“Jo asnjë nuk është anuluar edhe nuk besoj që anulohen se sigurisht kjo situatë përfundon, deri në korrik qetësohet gjendja, po flas për vete deri tash jo nuk kam pas asnjë anulim, se çfarë ndodhë më vonë nuk e di”, u shpreh Shyhrete Behluli.
Në anën tjetër edhe këngëtari i mirënjohur, Meda tha se nuk ka ende ndonjë anulim të ndonjërës prej dasmave në të cilat ai do të jetë i angazhuar, por ai nuk e përjashtojnë mundësinë që kjo mund të ndodhë duke u nisur nga situata në të cilën gjendemi.
“Deri tash tek unë hala nuk është anulu, por sipas mendimit tim nuk di se a mbahen, mund edhe të ndodhë që të mos mbahen se po shihet situata, unë po shpresoj që të përfundoj sa më shpejtë kjo pandemi”, deklaroj Meda për Indeksonline.
E njëjta ndodhë edhe me angazhimet e këngëtares së njohur të muzikës popullore, Remie Osmani. Në një prononcim për Indeksonline, bashkëshorti i këngëtares, Halil Hamzaj i cili edhe është menaxher i saj, tha se të gjitha datat janë ende të rezervuara, siç kanë qenë më parë, ai tha se beson se dasmat do të mbahen, ndoshta me ndonjë rregullore të posaçme, por që shpreson që të mbahen.
“Asnjë anulim nuk kemi, data janë ende fikse, krejt janë më prit se çka po bëhet, janë duke shku duke u liru punët dhe ma merr mendja se ndoshta me ndonjë far rregulli të posaçëm edhe do të mbahen, kështu që mendoj se po do mbahen”, tha Halil Hamzaj.
Prandaj, përderisa nuk ka ende një vendim që i ndalon ato, vera në Kosovë pritet të jetë e njëjtë, dhe dasmat vazhdojnë të jenë të aranzhuara, ndërsa ju vazhdoni të qëndroni në shtëpi që kjo vërtetë të mund të realizohet.