Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka reaguar pasi që U.D e presidentit, Vjosa Osmani, caktoi 14 shkurtin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Kurti me anë të një postimi në Facebook ka thënë se kjo që ka ndodhur ditët e fundit, është ditur që nga fillimi.
Qeverinë Hoti, ai e ka quajur “kot”, të paligjshme e jokushtetuese.
“Kemi humbur shumë vite, jo vetëm muaj. Këto zgjedhje nuk janë të parakohshme por të vonuara. Mirëpo, këto zgjedhje janë referendum. Me 14 shkurt politika e keqe ndodhet para gjyqit popullor”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë:
Pas shtatë muajve na u dëshmua ajo që dihej nga fillimi. Zgjedhja e qeverisë koti ka qenë kot. Zgjedhje e paligjshme, jokushtetuese.
Kemi humbur shumë vite, jo vetëm muaj. Këto zgjedhje nuk janë të parakohshme por të vonuara. Mirëpo, këto zgjedhje janë referendum. Me 14 shkurt politika e keqe ndodhet para gjyqit popullor.
Punë e arsim, drejtësi e shëndetësi. Kaq duan qytetarët. Qeveria jonë e re do të jetë shërbim i mirë. Sepse qytetari është mbreti i republikës.
Me 14 shkurt, festën e zemrës e bëjmë edhe kremte të demokracisë.