Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar vendimin e Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Më 30 qershor 2021, Kuvendi votoi për shkarkimin e pesë anëtarëve të këtij Këshilli.
Ndaj vendimit ishte ankuar Partia Demokratike e Kosovës. Tani Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se është vendosur që vendimi s’ka qenë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe për këtë ka vendosur shfuqizim të vendimit.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesën KO 127/21, të parashtruar nga Abelard Tahiri dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. 08-V-029], të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 30 qershorit 2021, për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Shkarkimi i anëtarëve të KPMSHCK-së pati ardhur pak ditë pasi në Komisionin për Administratë Publike qe votuar kundër miratimit të raportit vjetor të Këshillit për vitin 2020. Më 15 qershor, ky komision rekomandoi shkarkimin. E shkarkimi erdhi 15 ditë më pas me 62 vota pro, tri kundër e 11 abstenime.
Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar të Kuvendit, Gjykata njëzëri vendosi që (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) Vendimi [nr.08/V-029] i 30 qershorit 2021 i Kuvendit nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës; (iii) të shfuqizojë Vendimin e lartcekur; (iv) të shfuqizojë Masën e Përkohshme të përcaktuar përmes Vendimit të Gjykatës, të 21 tetorit 2021; dhe (v) të refuzojë kërkesën për seancë dëgjimore”, thuhet në vendim.