Depresioni është një sëmundje e nëndiagnostikuar në vendin tonë për shkak të vështirësive të shoqërisë për të kërkuar ndihmë për një gjë të tillë.
Megjithatë, konsumi i qetësuesve dhe ilaçeve antidepresivë ka ardhur në rritje në vitet e fundit.
Të dhënat konfidenciale të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave të cituara nga revista Monitor, të cilit i referohet AgroWeb.org tregojnë se importet e ilaçeve si Loram, Xanax apo Citolex kanë përsuar një rritje të ndjeshme.
Në vitin 2016, importet e këtyre medikamenteve pësuan një rritje deri në 17 përqind.
Megjithatë,të dhënat tregojnë se shumë prej këtyre medikamenteve merren pa recetën e mjekut.
Në fillimet e importit, të dhënat tregojnë se këto ilaçe konsumoheshin më së shumti nga të moshuairt.
Së fundmi, konsumi i ilaçeve kundër depresionit ka pësuar një rritje në grupmoshat 25-40 vjeç.
Nënat Që Rrijnë Në Shtëpi Më Të Rrezikuara Nga Depresioni
Një studim i Gallup nxorri në pah se gratë që rrisin fëmijët në shtëpi pësojnë një përkeqësim më të madh emocional në krahasim me gratë që punojnë jashtë shtëpisë.
Amvisat që rrisin fëmijët në shtëpi përjetojnë më shumë zemërim, mërzi, stres dhe shqetësohen më shumë.
Të dhënat e studimit të Gallup tregojnë se gratë që rrisin fëmijët në shtëpi, kanë më shumë gjasa të jenë të palumtura.
Gallup analizoi të dhënat e vajzave dhe grave nga mosha 18 deri në 64 vjeç.
Këto të dhëna konfirmuan se 28 përqind e grave që nuk janë në punë preken nga depresioni dhe 26 përqind e tyre preken nga trishtimi.
50 përqind e këtyre grave ndikohen nga stresi dhe 19 përqind e tyre preken nga zemërimi.
Roli I Izolimit Tek Depresioni
Psikologët shpjegojnë se izolimi është një faktor shumë domethënës në shfaqjen e depresionit.
Sipas tyre, njerëzit nuk kanë ardhur në jetë që të jetojnë në vetmi.
Sa më e madhe të jetë vetmia, aq më e parehatshme bëhet jeta e njeriut.
Gratë që rrijnë në shtëpi, punojnë fort, por kjo punë nuk mbaron kurrë.
Kjo sipas psikologëve i bën ato të ndihen si ‘shërbërtore’ pa kontratë pune.