Raportuesi për Ballkanin Perëndimor i partisë “Free Democratic Party” në Bundestagun gjerman, Thomas Hacker, ka reaguar ndaj vendimit që Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka refuzuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” për rikthimin e licencës së operimit.
Përmes një postimi në Twitter, Hacker tha se “liria e medias është përmirësuar në Kosovë gjatë viteve të fundit”, por shton se vendimi i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për heqjen e licencës së biznesit Klan Kosova do të ndikojë negativisht në pluralitetin mediatik”.
Kurti, në një sërë reagimesh në Twitter ka arsyetuar këtë vendim duke thënë se ndjekja e rregullave të regjistrimit është një detyrë ligjore, e jo një “teknikalitet”.
Tutje kryeministri ka folur për “biznesmenë të fuqishëm”, që thotë ai shkelin ligjin për përfitime financiare, duke rrezikuar kështu demokracinë.
“Liritë e medias janë jetike: një sulm ndaj tyre është një sulm ndaj demokracisë. Por demokracia gjithashtu sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare. Dhe zbatimi i ligjit kundër shkeljeve të njerëzve të tillë – në asnjë mënyrë – nuk përbën një sulm ndaj lirisë së medias”, shkruan tutje kryeministri.