“Jam shumë i frikësuar, të lutem ejani”, ishin disa nga fjalët e fundit që 6-vjeçarja Hind Rajab tha në një telefonatë me ekipet e shpëtimit pasi makina e familjes së saj ishte nën zjarr në qytetin e Gazës.
“Tanku është pranë meje. Po lëviz”.
E bllokuar në automjet dhe e rrethuar nga të afërmit e saj të vdekur, për tre orë ajo iu lut Gjysmëhënës së Kuqe ta shpëtonte.
Por agjencia e ndihmës humbi kontaktin me ambulancën e dërguar për të ndihmuar atë më 29 janar dhe ekuipazhi i saj bashkë me Hind mbetën të zhdukur, shkruan The Guardian.
Tani familja e Hind ka thënë se ajo u gjet e vdekur brenda makinës në zonën Tel al-Hawa të qytetit të Gazës të shtunën në mëngjes.
“Hindi dhe të gjithë të tjerët në makinë janë martirizuar”, tha gjyshi i saj, Baha Hamada, për Agence France-Presse. “[Anëtarët e familjes] mundën të arrinin në zonë sepse forcat izraelite u tërhoqën herët në agim sot”.
Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze (PRCS) shtoi se kishte gjetur ambulancën e saj të bombarduar vetëm disa metra larg dhe se dy mjekët e saj ndihmës, Yusuf Al-Zeino dhe Ahmed Al-Madhoun, ishin vrarë gjithashtu.
Pamjet e shpërndara nga PRCS treguan ato që tha se ishin mbetjet e ambulancës që u godit.
Nebal Farsakh, zëdhënësi i PRCS, tha: “Ne kemi qenë në panik dhe frikë të vazhdueshme gjatë 12 ditëve të fundit. Ne nuk ishim në gjendje të dërgonim dikë tjetër në zonë, kështu që ishim të pasigurt për fatin e tyre. Pyesnim veten nëse ata ishin të gjallë apo të vdekur”.
“Sot, familja e Hind mbërriti në vendndodhje pasi ushtria izraelite u tërhoq nga zona dhe e gjetën atë brenda makinës me familjen e saj të vdekur pranë saj”.
Qyteti i Gazës është shkatërruar nga luftimet midis Izraelit dhe Hamasit që nga lufta që shpërtheu katër muaj më parë dhe familja e Hind kishte shpresuar të kërkonte strehim diku tjetër.
Tragjedia u shpalos më 29 janar, kur Hind dhe xhaxhai, tezja dhe kushërinjtë e saj u përpoqën të iknin duke iu afruar forcave izraelite dhe makina e tyre ra nën zjarr. Nëna e Hindit dhe vëllezërit e motrat më të mëdhenj ishin nisur në këmbë.
PRCS fillimisht foli me kushëririn 15-vjeçar të Hind, Layan Hamadeh, i cili u tha atyre se prindërit dhe vëllezërit e motrat e saj ishin vrarë, duke shtuar: “Ata po qëllojnë mbi ne. Tanki është pranë meje”. Por telefonata u ndërpre nga ajo që dukej si armë zjarri.
PRCS publikoi një regjistrim audio të telefonatës dhe disa nga bisedat e mëvonshme tre-orëshe telefonike të Hind me dispeçerët, në të cilat ajo u lut për ndihmë, duke thënë: “Ejani të më merrni. Do të vish të më marrësh?”
Dispeçerja, Rana al-Faqeh, tha se Hind i tha asaj se kishte frikë nga errësira dhe kërkoi që dikush të vinte dhe ta shpëtonte.
Në videon e CNN dëgjohet biseda e Hind me ekipin e shpëtimit duke i lutur për ndihmë, e publikuar tetë ditë më parë.