Jetmir Hyseni është këngëtari nga Ferizaj, i cili u prek me Covid 19-të dhe për më shumë se tri javë qëndroj i shtruar në Klinikën Infektive në Prishtinë.
I prekuri me koronavirus, ka folur në detaje për gjithë ecurinë e sëmundjes në programin “Forever Young”.
“Unë isha në konvikte me grupin e ardhur nga Gjermania. Karantina më dukej tmerr, por pasi rezultova pozitiv e kuptova rëndësinë e saj. Nëse nuk do të isha dërguar aty, do ti infektoja të gjithë personat e afërt”.
Hyseni, ka treguar se simptomat e para ishin të rënda dhe kryesoheshin nga një lodhje ekstreme, temperaturë, dhimbje fyti dhe ethe, transmeton “Kosovarja”.
“Këto simptoma më drejtuan edhe deri në QKUK ku mu bë testi dhe rezultova pozitiv. Pas ditës së gjashtë kam nisur të ndihem më mirë, edhe pse rëntgeni zbuloj se isha prekur nga një pneumoni e lehtë”. Ai, ka thënë se në dhomë ishte me një shok gjithashtu nga Ferizaj dhe se gjatë gjithë ditëve e ka mbytur malli për familjen. Jetmir Hyseni, e ka lavdëruar punën e stafit mjekësor dhe ka thënë se ai për tu shëruar ka marrë terapi dhe jo vetëm paracet.
Hyseni, tashmë i shëruar dhe i kthyer në shtëpi, i ka porositur të gjithë që të qëndrojnë brenda dhe të kenë kujdes. “Koronavirusi nuk është aq i tmerrshëm sa po thuhet në media, por as një grip krejt i zakonshëm sa po thonë disa, kështu qe duhet të keni kujdes”.